E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harrohet marrëveshja

Kryeministri Hashim Thaçi nuk e ka në plan aktualisht t’ia ndajë edhe një Ministri në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacollit. Por, në AKR ende deklarojnë se do ta marrin hisen e tyre. Mimoza Kusari – Lila thotë se për zbatimin e marrëveshjes do të diskutojnë shpejt dy nënshkruesit e saj - Thaçi dhe Pacolli.

As këtë muaj nuk pritet që Kryeministri Hashim Thaçi të zëvendësojë ndonjë ministër të partisë së tij me zyrtarë të AKR’së për të zbatuar marrëveshjen për ndarjen e pushtetit me Behgjet Pacollin.

Megjithëse fundi i muajit shtator ka qenë afati i fundit për Pacollin që Thaçi të zbatojë marrëveshjen, tash s`dihet se kur është afati tjetër për të zbatuar në tërësi marrëveshjen PDK-AKR.

Zëvendësja e Kryeministrit Thaçi në Qeveri dhe zëvendësja e Pacollit në Parti, Mimoza Kusari – Lila ka thënë se AKR’ja është duke pritur zbatimin e marrëveshjes nga ana e Hashim Thaçit.

Sipas saj, AKR’ja është duke pritur që finalizimi i marrëveshjes për koalicion të bëhet nga dy liderët e partive – Hashim Thaçi dhe Behgjet Pacolli.

“Asgjë të re nuk ka sa i përket zbatimit të marrëveshjes, por ne presim që ministria për AKR’në të ndahet ashtu siç janë marrë vesh dy liderët e partive”, ka thënë Kusari – Lila për Express, të shtunën.

Ajo nuk ka dashur të komentojë deklaratat e homologut të saj në Qeveri, Hajredin Kuçi, i cili po vazhdon të deklarohet se nuk e di nëse PDK’ja duhet t`ia jap edhe një Ministri AKR’së.

“Marrëveshja është arritur mes dy liderëve dhe ata janë përgjegjës për hapat e mëtutjeshëm”, ka thënë Kusari – Lila.

Para një muaji, edhe Pacolli kishte deklaruar se i beson Hashim Thaçit, se AKR’së do t`i ndahet edhe një ministri.

“Unë jam i bindur kështu se shumë shpejt do realizohet marrëveshja në mes dy partnerëve të koalicionit”, pati thënë Pacolli.

Sipas Pacollit, Thaçi kishte premtuar pesë ministri për AKR’në dhe partitë e tjera të Koalicionit Kosova e Re kur u morën vesh për ndarjen e pushtetit, në fillim të këtij viti.

Por, kanë kaluar më tepër se tetë muaj që partneri i vogël në koalicion po pret realizimin e marrëveshjes me Hashim Thaçin.

Aktualisht AKR’ja me Koalicionin për Kosovën e Re ka katër ministri.

Kryeministri Hashim Thaçi dhe zëvendësi i tij në Qeveri dhe në parti, Hajredin Kuçi, nuk dëshirojnë të flasin kur pyeten për ndarjen edhe të një dikasteri qeveritar për partnerin e vogël në koalicion.

Nënshkrimi i marrëveshjes për ndarjen e pushtetit mes Thaçit dhe Pacollit është bërë në shkurt të këtij viti dhe aty janë paraparë t’i ndahen AKR’së posti i Presidentit, plus një post zëvendëskryeministri, tri poste ministrore dhe tre zëvendësministra.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që detyroi Liderin e AKR’së të lërë postin e Shefit të Shtetit, Pacolli pati thënë se do të vazhdojë koalicionin me PDK’në, me kusht që të marrë plus edhe një post zëvendëskryeministri, dy poste ministrore dhe tre zëvendësministra.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›