Kuçi-Fitzgerald: Për forcim të sigurisë në Veriun e Kosovës

Prishtinë, 10 gusht - Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi është takuar sot me komandantin e Komandës së Përbashkët të Forcave të NATO-s, me seli në Napoli, admiralin Mark Fitzgerald.
Në takim është diskutuar për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në Kosovë e rajon, për thellimin e bashkëpunimit me KFOR-in, për ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë të Kosovës dhe për tema tjera me interes.
Zëvendëskryeministri Kuçi ka theksuar përkushtimet e Qeverisë për një ambient të sigurt dhe të barabartë për të gjithë qytetarët. Më tej, ai ka theksuar se reduktimi i trupave të KFOR-it duhet të bëhet në proporcion me realitetin e krijuar dhe të mos lejohet vakuum në sigurinë e vendit.
Zëvendëskryeministri ka theksuar gjithashtu besimin se me këtë avancim, që është duke kaluar Republika e Kosovës në aspektin e sigurisë dhe të stabilitetit të përgjithshëm,
është hapur rruga që Kosova të jetë pjesë e Partneritetit për Paqe e së shpejti edhe anëtare e NATO-s.
Kuçi ka shprehur garancinë se Kosova është vend i sigurt dhe se krijon mundësi për ndikim pozitiv në stabilitetin e rajonit, si dhe nevojën për veprime më të mëdha në pjesën veriore, për të forcuar sigurinë e vendit, për të ndaluar kontrabandën dhe krimin e organizuar në atë pjesë të territorit të Kosovës.
Gjatë takimit me admiralin Fitzgerald, zëvendëskryeministri i vendit ka ritheksuar angazhimet e Qeverisë për mbrojtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe ka nënvizuar përkushtimin e Policisë së Kosovës për krijimin e një ambienti të sigurt për të gjitha komunitetet, me theks të veçantë për komunitetin serb.