Sherri i tenderit

Amir Ahmeti thotë se e di arsyen se pse nuk është më Nënkryetar i Partisë së Drejtësisë.
Ai është i bindur se shkak i shkarkimit të tij u bë kërkesa të cilën ia kishte drejtuar Kryetarit të Partisë së Drejtësisë dhe Ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, për sqarime rreth tenderit që Agani ia ka dhënë kushëririt të tij për asgjësimin e ilaçeve të skaduara, për çka kishte raportuar Expressi para disa javësh.
“Patëm mbledhjen e Kryesisë dhe kërkova nga ai që të japë sqarime, sepse ka dëmtuar imazhin e Partisë. Këtë ai nuk e duroi dhe kërkoi shkarkimin tim gjoja se paskam shkelur statusin e Partisë”, ka thënë Ahmeti të hënën për Express.
Ai e ka quajtur Aganin arbitrar dhe egocentrik dhe si njeri që merr vetë vendime në parti.
“Kjo dëshmohet edhe me faktin që kemi vetëm një post ekzekutiv, atë të cilin e udhëheq vetë Feridi...Ne kemi doktor shkencash, ekonomistë dhe inxhinierë shumë të zotë, mirëpo ai dëshiron veç vetë të njihet në opinion, kështu ka qenë gjithmonë”, u shpreh Ahmeti, i cili pohon se në PD nuk ka demokraci të brendshme.
“Vetëm vitin e kaluar janë tërhequr njëmbëdhjetë delegatë sepse e kanë parë se cila është politika udhëheqëse e Kryetarit dhe nuk janë pajtuar me të”, tha ai.
Në ditën kur është shkarkuar Ahmeti, kishte drejtuar tri kërkesa në Kryesinë e Partisë, të cilat e paskan acaruar Aganin.
“E para kishte të bënte me iniciativën e Kryetarit për të themeluar degë paralele në degët ekzistuese të PD’së. Me këtë ai dëshiron të fitojë përkrahje para Kuvendit Zgjedhor. Pastaj kërkova që Dega e Prizrenit, e cila ishte pezulluar vitin e kaluar të kthehet në Parti, ndërsa kulmi i acarimit të tij u arrit kur ia përmenda tenderin e dhënë kushëririt të tij”, shpjegoi Ahmeti.
Sipas tij, kryetari Agani po e shfrytëzon PD’në për interesa të ngushta, ndërkohë që bëri të ditur se askush në parti nuk ka të drejtë ta kundërshtojë atë.
“Askush nuk bën ta kundërshtojë atë, gjithmonë ka qenë kështu”, tha Ahmeti.
Por Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani i është përgjigjur të hënën Ahmetit.
Ai tha se ish-Nënkryetari i tij i ka shpërfillur detyrat të cilat i janë caktuar.
“Arsye kanë qenë shkeljet statusore të cilat janë bërë gjatë ushtrimit të detyrës së nënkryetarit të Partisë”, ka thënë Agani.
Megjithëkëtë Agani mund ta vazhdojë i qetë punën e tij në parti pasi Ahmeti tha se nuk e ka ndërmend që ta sfidojë atë në Kuvendin Zgjedhor të PD’së, i cili do të mbahet më 11 dhjetor. “Nuk kam pasur asnjëherë tendenca të tilla, do të vazhdoj me punën time si deputet i Kuvendit për çka edhe kam fituar vota nga elektorati”, tha Ahmeti. Ai po ashtu ka mohuar se ndonjë anëtar tjetër i partisë do të mund të ketë guximin të përballet me Aganin në garën për të parin e Partisë.
Ndryshe që nga themelimi i Partisë së Drejtësisë janë shkarkuar katër nënkryetarë të saj si dhe dy sekretarë. Aktualisht kjo parti, pas shkarkimit të Ahmetit, ka mbetur me vetëm një nënkryetar që njëherësh është Kryetar i Forumit Rinor të Partisë.
Amir Ahmeti ndërkaq është kandidat për ambasador të Kosovës në Riad dhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme.