Kuçi: Kemi garanci nga BE'ja për presion ndaj Serbisë

I pyetur nga mediat se rreth deklaratave të kryeministrit Thaçi se mbajtja e zgjedhjeve serbe hap një konflikt të ri me shtetin e Kosovës, Kuçi ka theksuar se nuk ka çka t’i shtoj më shumë asaj deklarate, duke shtuar se çdo tendencë e një shteti në shtetin tjetër që të bëjë agresion juridik apo politik, ose tjetër, është mundësi e hapur për konflikt.
Zëvendëskryeministri ka thënë se institucionet e vendit do të ofrojnë siguri për të gjithë qytetarët e vendit, por, sipas tij, nuk duhet të bien nën ndikimin e lojës politike që mendon të fitojë dikush në Beograd.
“Ne do të ofrojmë siguri qytetarëve në çdo rast, por zgjedhje legale legjitime do të ketë në raste vetëm kur ato organizohen nga institucionet kompetente të Republikës së Kosovës. Ne ftojmë qytetarët serbë që të punojnë dhe angazhohen për institucionet e Kosovës dhe jo për ndonjë lojë politike që dikush mendon të fitoj në Beograd”, ka thënë Kuçi.
Ai ka thënë se nuk do të përdoren iluzione se do të përdoret ushtria apo policia atje, por sipas tij, institucionet e vendit do të marrin masa dhe nuk do të rrinë duarkryq në raport me këtë sjellje të Serbisë.
Por, Kuçi nuk ka dashur të japë më shumë sqarime për këtë, duke thënë se janë institucionet kompetente që i vlerësojnë ato masa.
Kuçi ka thënë se është biseduar për këtë çështje me BE-në dhe kanë marr garanci se do të bëjnë presion.
“Është e vërtetë është që kemi biseduar me BE-në dhe kemi pas garanci që do të bëhet presion që nuk do të lejohet nga Beogradi që të mbaj zgjedhjet në Kosovë dhe tani ne kemi vënë kontakte me BE-në dhe do të kërkojmë njëkohësisht që të bëjnë një veprim të tillë. Dhe kjo logjika e integrimit në Union Evropian me atë logjikën e së kaluarës duhet t’i bëhet e qartë Serbisë që nuk mund të bëjë një gjë të tillë. Por, në cilin do rast, përveç masave që kërkon të marrë BE-ja dhe SHBA-ja, edhe institucionet e Kosovës nuk do të rrinë duarkryq”, ka thënë ai.
Ndërsa në lidhje me çështjen e veriut, ai ka thënë se nuk duhet të frikësohet askush se veriu do të trajtohet ndryshe nga pjesa tjetër e Kosovës.
“Nuk duhet të frikohemi se veriu i Kosovës do të trajtohet ndryshe prej pjesës tjetër të Kosovës”, ka deklaruar Kuçi.
Ndryshe në mbledhjen e mbajtur të qeverisë sot janë miratuar projektligji për ujërat, ndërsa është miratuar propozim-vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e programit legjislativ të Qeverisë për vitin 2012.
Ndërsa shqyrtimi i propozim-vendimit për themelimin e komisionit qeveritar për përcaktimin e prioriteteve strategjike dhe afatmesme të Qeverisë dhe kornizën makro-fiskale është shtyrë për konsulta.
Po ashtu janë miratuar projekt-rregullorja për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Kulturës, propozim-vendimi për emërimin e Kryeshefit Ekzekutiv në Agjencinë Kosovare për Produkte Medicionale në Ministrinë e Shëndetësisë, propozim-vendimi për emërimin e Kryeshefit Ekzekutiv në Agjencinë për Menaxhimin Emergjent në Ministrinë e Punëve të Brendshme, propozim-vendimi për dhënien e pajtimit të përcaktuar në nenin 3 të ligjit 04/L-042 për prokurimin publik në Republikën e Kosovës.
Gjithashtu është miratuar edhe propozim-vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit nr. 7/123 të datës 30 prill 2010 për themelimin e bordit për monitorimin e strategjisë për riintegrimin e personave të riatdhesuar dhe propozim-vendimi për emërimin e anëtarëve në Bordit të përkohshëm të ndërmarrjes Postën e Kosovës. /Kosovapress/