Kuçi vizitoi Qendrën Korrektuese në Dubravë

Zëvendëskryeministri dhe ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i shoqëruar nga Behxhet Shala, drejtor ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, vizituan Qendrën Korrektuese në Dubravë të Istogut, ku nga afër u njoftuan me kushtet e të të burgosurve të cilët vuajnë dënimin në këtë burg.
Kuçi tha se ka ardhur këtu për të shikuar gjendjen në këtë qendër dhe për të shikuar mundësitë e përmirësimit të kësaj gjendjeje.
“Pata një vizitë zyrtare në Burgun e Dubravës, për të shikuar se si qëndrojnë kushtet këtu, si bëhet trajtimi adekuat i njerëzve të cilët vuajnë dënimet këtu dhe si do të kemi mundësi ta përmirësojmë gjendjen në burgjet e Kosovës, e në veçanti në Burgun e Dubravës, njëherësh do t’i shikojmë mundësitë reale në mënyrë që t’i shtojmë sjelljet dhe disiplinën brendapërbrenda burgut, duke pasur parasysh t’i ruajmë dhe respektojmë të drejtat e të burgosurve në këto burgje. Unë, pata kontakte të drejtpërdrejta me stafin, por edhe me të burgosurit dhe ajo çka munda të vërej këtu, duket që është një organizim i mirë, njerëzit kanë një trajtim adekuat, por ka nevojë për ngritje dhe rritje të cilësisë, ashtu, si çdokund tjetër”, ka thënë Kuçi, me këtë rast.
“Qëllimi im do të jetë gjithmonë që sundimi i ligjit të të aplikohet me përpikëri, kjo nënkupton që të burgosurit duhet t’i kryejnë obligimet ligjore, por edhe t’i shfrytëzojnë të drejtat e tyre ligjore. Ne do t’i ngrehim kapacitetet, ku në veçanti do të fokusohem për burgun e Dubravës, me ç’rast do t’i kemi disa aktivitete, njëri prej aktivitetëve është realizimi i fazës së dytë për shtimin e kamerave dhe ky projekt do të bëhet me bartjen e mjeteve, nga mjetet e parapara për blerje të automjeteve, ngase në Ministrinë e Drejtësisë këtë vit nuk do të ketë shpenzime në blerjen e automjeteve. Projekti tjetër është bërja e Njësisë ekonomike, që nënkupton shfrytëzimin e aktiviteteve agronome në radhë të parë, pastaj funksionalizimin e njësive punuese dhe ajo që më intereson mua është që nga kjo, jo vetëm të rritet buxheti i Shërbimit Korrektues të Kosovës, por, njëkohësisht t’u japim mundësi të burgosurve të punojnë. Qëllimi edhe i shtetit të Kosovës, edhe imi është që këta njërëz t’i kryejnë obligimet ligjore, të risocializohen dhe të kthehen si pjesë e barabartë e shoqërisë sonë”, ka theksuar ai.
Ndërsa, drejtori i Qendrës Korrektuese në Dubravë, Haki Maxharraj, u shpreh se me realizimin e projekteve të parapara nga ministri do të zvogëlohen shpenzimet në Shërbimin Korrektues të Kosovës në një masë të madhe.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, tha se stafi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, do të jetë pjesë e ngritjeve të pagave që janë të parapara me vendimin e Kryeministrit, dhe se përkushtimi i im është që të kenë trajtim të barabartë, si me paga, ashtu edhe me benificione të tjera, porsi Policia e Kosovës.