S’ka rrezik për Kosovën nga radioaktiviteti

Nga Express më 12 mars 2011 në ora 17:31
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) thotë se Kosova nuk rrezikohet nga radioaktiviteti që dyshohet se ka rrjedhur në njërin nga reaktorët bërthamor në Japoni, pas fatkeqësisë natyrore që goditi këtë vend.
Kreu i IMHK-së, Sylë Tahirsylaj, tha se sipas imazheve satelitore të Eumetsatit dhe ecurive sinoptike që do të mbizotërojnë gjatë ditëve të fund javës, në Kosovë nuk do të ketë rrezik, së paku për momentin, se do të arrijë rrezatim nga zbrazjet në njërin nga reaktorët bërthamor, që pasuan tërmetin dhe cunamin në Japoni.
Qytetarët e Republikës së Kosovës nuk kanë nevojë për shqetësime, ndërsa IHMK thotë se do të ngrisë shkallën e gatishmërisë për monitorimin e vazhdueshëm për sa i përket ndotjes së ajrit.