Lëndohen Rama e Leci
Valdet Rama nuk e ka nisur si duhet aventurën te skuadra e re, Orebro. Sulmuesi kosovar ka pësuar një lëndim të premten, në këmbën e majtë, gjatë përgatitjeve që po i bën klubi suedez në Turqi.
Sipas parashikimeve të para, lëndimi i kosovarit nuk është i rëndë, mirëpo mbetet në pikëpyetje nëse do të jetë i gatshëm të debutojë për Orebro, të dielën në ndeshjen miqësore kundër klubit turk, Alania.
“Ne do të shohim se si do të ndihet ai nesër (të shtunën). Nëse nuk ka përparime, atëherë nuk duhet të rrezikojë dhe të luajë, pasi pasojat mund të jenë më të mëdha”, ka thënë doktori i klubit suedez, Urban Juneholm.
Valdet Rama para disa javëve nga skuadra gjermane Hannovr ’96 ishte transferuar tek Orebro dhe sipas medieve suedeze, ka impresionuar me paraqitjet e tij në fazën përgatitore.
Në anën tjetër, edhe Liridon Leci ka pësuar një lëndim në ije dhe pritet t’i mungojë Kalmarit për dy javë, ka njoftuar fizioterapeuti i klubit suedez, Kjell Svensson. Leci u transferua në Kalmar gjatë këtij dimri nga klubi shqiptar, Kastrioti.