Kuçovë, e dënuara për prostitucion përsërit vesin, arrestohet në lokal
>Kishte vuajtur dy vite burg në qeli për ushtrim prostitucioni, por ka menduar që ta përsërisë prapë këtë vepër penale, madje duke shfrytëzuar dhe vajza të reja. Por veprimtaria e saj në këtë fushë, nuk ka zgjatur shumë, pasi është arrestuar sërish nga forcat e policisë. Salushe Subashin, e dënuar dy vite më parë për ushtrim prostitucioni, është arrestuar pasditen e djeshme, ndërkohë që ekspertët hetimorë ende nuk kanë ngritur zyrtarisht asnjë akuzë ndaj saj, pasi ende hetimet vazhdojnë.
Gruaja është ndaluar në lokalin e saj në hyrje të Kuçovës, në vendin e quajtur Meteorë ku prej muajsh ka rinisur aktivitetin e saj që dyshohet të jetë përqendruar me ofrimin e seksit kundrejt 1 mijë lekë. Ka qenë prokuroria së bashku me agjentët e zyrës së luftës kundër trafiqeve, ata që kanë nisur që prej disa ditësh hetimet në ngarkim të 40- vjeçares. Emri i Salushe Cubashit nuk ka qenë i panjohur për ekspertët hetimorë. Dy vjet më parë ajo u arrestua, pasi u akuza se ofronte seks në lokalin e saj, akuzë për të cilën u dënua me 6 muaj burg për veprën penale të ushtrimit të prostitucionit. Por duket se dhe pse ka kryer dënimin, Subashi nuk ka hequr dorë nga aktiviteti i saj. Tre muaj më parë, ajo mësohet se ka vendosur të rimarrë me qira lokalin në hyrje të Kuçovës dhe ka nisur sërish punën në të. Fillimisht gruaja e ka përdorur lokalin vetëm për këtë qëllim, ndërsa javët e fundit dyshohet se ka rinisur ta përdorë atë për qëllime prostitucioni. Burime zyrtare të policisë së këtij qyteti bëjnë me dije se një javë më parë pranë prokurorisë ka mbërritur denoncimi i një gruaje nga qyteti i Kuçovës. Ndonëse emri i gruas nuk bëhet i ditur, sipas burimeve të policisë mësohet se ajo kishte denoncuar largimin e herëpashershëm të vajzës së saj nga banesa. Gruaja kishte mësuar nga verifikimet e saj se vajza 19- vjeçare kishte lidhje me 40- vjeçaren Subashi. Menjëherë pas këtij denoncimi, ekspertët e policisë dhe ata të prokurorisë kanë nisur hetimet rreth 40- vjeçares Subashi. Nga hetimet e para është mësuar se tre vajza, dy prej të cilave nga Ura Vajgurore dhe një nga qyteti i Kuçovës punonin si prostitute në lokalin e 40- vjeçares. Kjo e fundit që dyshohet se dhe vetë e ushtron prostitucionin, ishte njohur që muaj më parë me vajzat e papuna dhe u ka ofruar atyre klientë të moshave të ndryshme, kundrejt një shumë prej 1 mijë lekësh. Ekspertët e policisë kanë arrestuar në ambientet e lokalit, 40- vjeçaren Subashi, ndërkohë që janë ndaluar dhe tre vajza të reja, emrat e të cilave ende nuk bëhen të ditur për shkak të hetimeve. Subashi ka mohuar çdo akuzë për ofrimin e seksit në ambientet e lokalit të saj, ndërkohë që vajzat kanë deklaruar se nuk shfrytëzoheshin nga Subashi. Ndërsa nga dëshmitë e banorëve të zonës, policia mësoi se në ambientet e lokalit qëndronin vetëm meshkuj të moshave të ndryshme, të cilët sipas tyre paguanin nga 1 mijë lekë për çdo vajzë që ofronte seks në ambientet e lokalit. Sipas tyre, Subashi mbante 500 lekë për klientët që siguronte dhe ambientet që ofronte, ndërsa 500 lekë përfitonin vajzat. Burime të policisë bëjnë me dije se ende Subashi dhe vajzat janë duke u marrë në pyetje në lidhje me aktivitetin e paligjshëm që kryenin, ndërkohë që ende nuk është përpiluar akuza ndaj tyre.