E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK: Shkarkimi i Biberajt dëmton imazhin e Shqipërisë

>Partia Demokristiane ka reaguar dje duke shprehur shqetësimin e saj dhe e konsideron vendim të nxituar, të pajustifikuar dhe të papërgjegjshëm duke shkelur të gjitha procedurat parlamentare të konsultimit dhe të votimit, shkarkimin z. Aleksandër Biberaj  nga posti i kreut të Delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe zëvendësimin e tij me z.Ilir Rusmali. Z. Biberaj si kryetar i delegacionit shqiptar në Asamblenë parlamentare të KE-së ka qenë një nga përfaqësuesit më të suksesshëm të Shqipërisë në këtë post dhe gjatë këtyre viteve ka ndikuar ndjeshëm në forcimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe institucioneve më të rëndësishme të Këshillit të Evropës dhe më gjerë. Sipas PDK, motivi i përdorur per  shkarkimin të z. Biberaj është sa absurd aq edhe qesharak, sepse pretendohet se z. Biberaj nuk ka mbrojtur si duhet dhe nuk ka informuar Këshillin e Evropës për Ligjin e Dosjeve, të miratuar nga PD, ligj që është kritikuar jo vetëm nga Këshilli i Evropës por edhe nga përfaqësuesit më të lartë të diplomacisë perëndimore në Shqipëri. Më tej ata shprehën se, xhelozia politike ndaj karrierës evropiane në rritje të z.Biberaj detyroi Topallin e Berishën të veprojnë si Stalini me Zhukovin, duke e shkarkuar në ajër, pasi z.Biberaj sot ndodhet në udhëtim e kthimit nga pjesëmarrja e tij në ceremoninë e betimit, të Presidentit Obama. Zoti Biberaj, siç dihet tashmë, ka qenë një ndër deputetët më të angazhuar për miratimin e ligjit për dënimin e Krimeve të Komunizmit dhe hapjen e dosjeve të policisë  sekrete komuniste, duke hartuar edhe një draft i cili krijonte një konsensus të gjerë sepse inkorporonte tre draftet e propozuara nga PDK, PD dhe PS. Por drafti i hartuar nga deputeti Biberaj u hodh poshtë nga PD-ja dhe u zëvendësua me një ligj të kritikuar gjerësisht nga partitë parlamentare ne Kuvend dhe komuniteti ndërkombëtar, si ligj që nuk përmbush standardet evropiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›