E Diel, 1 Nëntor 2026

Kufijtë Kosovë- Maqedoni, nesër marrëveshja

PRISHTINE- Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë kanë rënë dakord për kufijtë mes dy vendeve dhe marrëveshja pritet të zyrtarizohet këtë të enjte, shkruajnë sot mediat kosovare.

Marrëveshja pritet të nënshkruhet nga Kryeministri Hashim Thaçi dhe homologu i tij maqedonas, Nikola Gruevski.

Zëdhënësi i i Zyrës Civile Ndërkombëtare ka thënë se marrëveshja do të finalizohet shumë shpejt.

“ICO’ja është duke lehtësuar progresin në çështjen e demarkacionit të kufirit gjatë 18 muajve të fundit. Ne jemi të bindur se procesi do të mbyllet në ditët e ardhshme”- citohet zëdhënësi i zyrës së Ndërkombëtarëve në Prishtinë.

Ndërsa zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka paralajmëruar se kjo çështje do të mbyllet këtë javë.
“Ka pasur gjatë ditëve të kaluara takime lidhur me vendosjen përfundimtare të demarkacionit me Maqedoninë. Edhe dje kemi pasur takime me z. Pieter Feith dhe me të tjerët. Jemi në fazën finale dhe dua të besoj se kjo zgjidhje do të bëhet shumë shpejt, nëse nuk bëhet brenda dy ditëve”, deklaroi Kuçi, të hënën.

Mbyllja e kësaj çështjeje hap rrugën për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Maqedonisë, e cila e ka njohur shtetin e ri para më shumë se një viti.

Procesi i shënimit të vijës kufitare mes dy vendeve ka nisur një vit e gjysëm më parë, por përfundimi i këtij procesi është zvarritur shumë.

Ditët të fundit, zyrtarë të institucioneve të Kosovës, Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe Maqedonisë kanë pasur konsultime intensive, kryesisht përmes telefonit, që kjo çështje e kufirit të përfundojë sa më shpejt- shkruan sot Gazeta “Express.”

Shënimi i vijës kufitare fillimisht ka qenë kusht i Maqedonisë për njohje të pavarësisë së Kosovës, dhe më vonë u bë kusht për vendosje të marrëdhënieve diplomatike.

Demarkacioni i kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë kërkohet edhe nga Pakoja e Martti Ahtisaarit.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›