E Diel, 1 Nëntor 2026

Kufijte detarë, PS: Padia javën tjetër në Kushtetuese

TIRANE- PS vendos të cojë në fillim të javës së arshme ankimin e marrëveshjes për ujërat detare me Greqinë në Gjykatën Kushtetuese.

Burime pranë grupit që kane hartuar draftin konfirmuan për NEWS24 se PS do t’i kërkojë Gjykatës të shprehet lidhur me ligjshmërinë e marrëveshjes.

Të mbledhur në një tryezë të përbashkët, Edi Rama, Skënder Gjinushi, Erion Veliaj, Spartak Ngjela, Nard Ndoka dhe Ndre Legisi, firmosën dje ankimimin e hartuar nga ekspertët ligjorë të PS-së. Pritet që ankesa të firmoset edhe nga kreu i PDS-së, Paskal Milo dhe ai i LZHK-së, Dashamir Shehi dhe më pas të dërgohet me të gjitha firmat në Gjykatën Kushtetuese.

Firma nuk është hedhur në këtë ankimim nga kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili nuk ka qenë as i pranishëm në këtë takim.

Parlamenti ka shtyrë paafat ratifikimin e marrëveshjes për përcaktimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë pas presionit mediatik në rritje. E parashikuar për të kaluar në seancën plenare të së hënës, në datën 19 tetor, marrëveshja tanimë nuk ekziston në axhendën parlamentare. Në të nuk shkruhet asnjë datë dhe asnjë rresht për ditën se kur do të bëhet ratifikimi i saj.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›