Kufiri Detar me Greqinë, Studiuesi Kristafi: Dokument i ri për negociatat
E themeluar muajin e shkuar, me president nderi shkrimtarin Ismail Kadare, Akademia Shqiptare e Arteve dhe e Shkencave ka mbajtur të parin forum publik mbi realitetet dhe sfidat e shoqërisë së sotme shqiptare.
E shndërruar në një çështje të gjithëdiskutuar e kontestuar, kufiri detar me Greqinë ishte një ndër pikat e diskutimit nga studiuesi Ksenofon Kristafi i cili theksoi se kufiri duhet riparë doemos, por jo duke përsëritur gabimet fatale.
“Të dhënat që dolën nga kabllogramet dhe nga informacione të tjera të bëra publike pas marrëveshjes, vërtetuan zyrtarisht se marrëdhënia shqiptaro-greke ju imponua me agresion Tiranës. U pranua në mënyrë të pashpjegueshme nga udhëheqja shqiptare dhe u tolerua me servilizëm dhe inkepetencë nga grupi negociator shqiptar. Kjo do të thotë se negociatat kanë qenë pothuajse formale dhe me një konspiracion të pajustifikueshëm. Kufiri detar shqiptaro-grek duhet riparë sepse ka gjëra që presin të definohen por nuk duhet të preket kufiri shtetëror dhe kufi shtetëror është kufiri që ndan ujërat e brendshme dhe ujërat territoriale mes dy vendeve”- theksoi studiuesi Ksenofon Kristafi.
Por ç’duhet bërë në këtë moment kur Gjykata Kushtetuese pezulloi vendimin e Kuvendit të Shqipërisë për kufirin detar me Greqinë. Studiuesi Kristafi thekson se negociatat mes dy shtevete janë domosdoshmëri por ato s’duhet të nisin nga marrëveshjet ekzistuese.
Prof. Kristafi tregohet i prerë e thekson: “Duhet pasur parasysh që marrëveshja e nënshkruar në prillin e vitit 2009 nuk ekziston më, është një gjë nuk ka asnjë vlerë juridike dhe negociatat nuk mund dhe nuk duhet të fillojnë mbi bazën e asaj marrëveshje me mednimin që mund të bëhen disa arnime, jo negociatat duhet të fillojnë me një dokument të ri të hartuar nga e para dhe duhet të bëhen nga një ekip tjetër negocator sepse rezultoi që anëtarët e përbërjes së mëparshme treguan paaftësi, inkopetencë profesionalem treguan mungesë principialiteti madje sipas meje shpërdoruan detyrën zyrtare”.
Në këtë forum u diskutua ndër të tjera dhe për reformën në shërbimin shëndetësor, kriza e sistemit të arsimit në vend e sfida e rritjes ekonomike në Shqipëri. Në nisje të këtij viti, gjykata miratoi krijimin e kësaj akademie të re që ka bërë bashkë shkrimtarë, artistë, filozofë, historianë, mjekë e shkencëtarë, ndër ta Helena Kadare, Inva Mula, Ermonela Jaho, Adrian Civici, Fatos Tarifa, Pëllumb Xhufi e Isuf Kalo.
Nga Anisa Ymeri