E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peshkatarët: Të vendosen shenja në kufirin ujor me Malin e Zi

Arian Çinari

SHKODER Ndonëse nuk kemi një informacion të saktë mbi personat e arrestuar në Mal të Zi, nëse janë apo jo anëtarë të Organizatës së Menaxhimit të Peshkut, lajmi për arrestimin e tyre është shqetësues. Ne u kemi bërë të njohur ligjet e shtetit malazez dhe ato të shtetit tonë përfaqësuesve të organizatës sonë, por ajo që ne na shqetëson është mungesa e bovave (shenjave treguese) të kufirit në liqenin e Shkodrës. Reagimi vjen nga kreu i OMP-së, Arian Çinari, sipas të cilit në shumë raste peshkatarët nuk e kanë të sigurt nëse janë në ujërat e territorit shqiptar, apo ato malazez. Megjithëse gjer tani ne nuk kemi pasur probleme ose incidente të kësaj natyre, kjo nuk do të thotë se ato mund të mos ndodhin në të ardhmen, prandaj shteti ynë në bashkëpunim edhe me fqinjët duhet të ndërhyjë sa më parë për vendosjen e shenjave të tilla, ka pohuar Çinari. Për rreth 20 vite, shenjat treguese të vijës kufitare në liqenin e Shkodrës tashmë nuk ekzistojnë fare. Peshkatarët e vjetër, të cilët kanë vite që e bëjnë një punë të tillë mund të orientohen disi, por ata më të rinjtë as që e kanë idenë se ku janë ato. Ndërsa peshkatarët ilegalë, të cilët gjuajnë kryesisht gjatë natës, në errësirë, kanë probabilitet të madh për të peshkuar në ujërat e vendit fqinj. Ndërkohë, 8 peshkatarët që sipas mediave malazeze janë arrestuar nga policia kufitare vazhdojnë të jenë në burg, pasi nuk është paguar për lirimin e tyre shuma prej 1 mijë eurosh gjobë. Nëse nuk shlyhet, gjoba mund të konvertohet në 4 muaj burg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›