Viktima e Grabjanit u identifikua pas 4 vitesh

Autori i vrasjes, Myslym Hamzai
LUSHNJE – Viktima e gjetur në Grabjan të Lushnjës, i vrarë dhe i djegur me benzinë në gusht të 2008-s, është identifikuar vetëm dy javë më parë nga Policia. Pas katër vitesh hetimi, Policia e Lushnjës arriti të zbulojë autorët e krimit të rëndë, të cilët janë vëllai dhe xhaxhai i viktimës, Taulant Hamzai. Katër vite më parë kur ndodhi ngjarja, grupi i ekspertëve të Policisë Kriminale dhe të Mjekësisë Ligjore morën mbetje nga kufoma për të kryer analizat përkatëse. Përfundimi i analizave doli vetëm dy javë më parë. Dy javë më parë, analizat e gjakut treguan se trupi i djegur i përkiste 18-vjeçarit Taulant Hamzaj. U shoqëruan më shumë se 20 persona në mjediset e Komisariatit, si dhe u përgjuan telefonatat. Mes tyre ishin edhe të afërmit e viktimës, të cilët flisnin në telefon të bindur se ajo çështje kishte marrë fund, bënë të ditur burime nga Policia. Ndërkaq, vetë të arrestuarit me akuzën e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, të kryer në bashkëpunim, kanë pranuar krimin e rëndë, duke pohuar edhe motivin. Dyshoja se vëllai im kishte marrëdhënie intime me gruan time. Për këtë ne ishim konfliktuar disa herë. Vendosa ti them xhaxhait. Pasi e diskutuam me njëri-tjetrin e vramë dhe më pas e dogjëm që të mos identifikohej. Kështu mësohet se ka deklaruar pas arrestimit vëllai i viktimës, 32-vjeçari Myslim Hamzai. Sipas Policisë, krimin e ka pranuar edhe xhaxhai i viktimës, Zabit Hamzai. Krimi i vrasjes ka ndodhur më 7 gusht 2008 nga xhaxhai dhe vëllai i viktimës. Dy të arrestuarit e kishin thirrur 18-vjeçarin për të treguar të vërtetën mbi marrëdhënien e tij me kunatën, nusen e Myslymit. Taulanti nuk ka pranuar akuzën e të vëllait. Por, pas kësaj, ata e kanë zbritur atë nga makina në afërsi të Grabjanit, e kanë goditur me mjete të forta dhe me pas e kanë djegur me benzinë, bëri të ditur Policia e Lushnjës.
E ëma
Nuk kam djalë të vdekur. Kështu u shpreh dje nëna e viktimës, duke pohuar se i biri 32-vjeçar ishte arrestuar padrejtësisht. Më erdhi policia dje dhe më tha se po merrte djalin për ta pyetur në lidhje me tregtinë e kanoçeve. E mori me vete në Lushnjë. Vonë në darkë mora vesh se Myslymi ishte arrestuar gjoja për vrasjen e të vëllait. Unë nuk kam djalë të vrarë e as të vdekur. Djali im ka ikur në Greqi që 6 vjet më parë dhe unë nuk e kam takuar. Por, edhe nuk kam dashur ta takoj pas asaj që i bëri vëllait të tij. Kur Mylsymi ikte në punë, ai bënte dashuri me gruan e tij. I zuri vetë djali duke tradhtuar, u shpreh dje Hane Hamzai.