Në 1 muaj, 41 kapakë pusetash të vjedhur

Një prej pusetave pa kapak në Elbasan
ELBASAN – Vetëm gjatë muajit mars në qytetin e Elbasanit janë vjedhur 41 kapakë pusetash dhe deri më tani asnjë person nuk është ndaluar apo arrestuar nga Policia për këtë problem. Burime nga pikat e skrapit bëjnë të ditur se një kapak pusete shitet rreth 7 mijë lekë. Problemin e vjedhjes së pusetave, veç qytetarëve, e ka ngritur edhe drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellësit, Ardian Zhidro, i cili deklaron se fenomeni në fjalë sa vjen e rritet dhe ne si ndërmarrje, edhe pse nuk e kemi në kompetencën tonë, detyrohemi të vendosim puseta të reja në vendet ku ato mungojnë. Pjesa më e madhe e tyre janë vjedhur në periferi të qytetit në lagjen Skënderbej, ku qytetarët herë pas here janë ankuar, pasi kanë qenë të shpeshta rastet kur fëmijët dhe të moshuarit kanë rënë në pusetë duke u aksidentuar rëndë. Nga ana e saj Policia u ka dërguar të gjitha pikave të skrapit në qark një shkresë zyrtare që të mos pranojnë asnjë qytetar që çon kapakë pusetash për tu shkrirë dhe të denoncojnë këto raste në polici. Por deri më tani asnjë nuk ka bërë një denoncim të tillë. m.s