E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, hetim pasurisë së këshilltarit republikan

Fatmir Kajolli, këshilltari republikan në Fier

Fatmir Kajolli i dënuar nga gjykatat italiane, me akuzë trafik droge.

Do verifikojmë mbi çtë ardhura ngriti bizneset në Fier

Prokuroria e Fierit do të hetojë pasurinë e biznesmenit dhe përfaqësuesit të PR-së në Këshillin Bashkiak të këtij qyteti, Fatmir Kajolli. Burime të Prokurorisë bënë të ditur se ky hetim nuk bëhet për ti përçuar të dhënat palës italiane, por për llogari të vetë Prokurorisë së Fierit. Hetimi kryesisht nisi pas arrestimit të Kajollit në bazë të letër-porosisë nga shteti italian, ku 47-vjeçari rezulton të ishte dënuar nga dy gjykata të këtij shteti me 40 vjet burg për trafik droge. Burime nga Prokuroria bënë të ditur se ndonëse Kajolli njihet si një qytetar me pozicione të rëndësishme në Fier dhe një biznesmen i fuqishëm, kjo nuk i pengon ata të dyshojnë për mënyrën se si ka arritur ti ndërtojë këto biznese. Prokuroria nuk bëri të ditur nëse do të ketë ndonjë urdhër-sekuestro të këtyre bizneseve, në rast se do të ketë mospërputhje dhe mosakordim të të ardhurave të Kajollit, të cilat nuk justifikojnë ngritjen e tyre. Do të kalojnë në një verifikim të imtësishëm të të gjitha bizneseve apo pasurive që posedon sot Fatmir Kajolli. Do të shihet origjina e pasurive apo bizneseve që janë në emër të tij. Ky verifikim po bëhet me iniciativë të vet organit të akuzës, bënë të ditur burime nga Prokuroria e Rrethit të Fierit. Të njëjtat burime thanë se ata nuk kanë të drejtë të merren me çështje të dosjes Kajolli nga gjykatat italiane, në rast se këto të fundit nuk e kërkojnë një gjë të tillë. Prokuroria nuk përcaktoi se kur do të nisë verifikimi i pasurive të biznesmenit Kajolli.
Ai mbante edhe detyrën e këshilltarit të PR-së në Këshillin Bashkiak të Fierit dhe ka fituar të drejtën për të qenë bashkadministrator i linjës urbane në qytet. Gjithashtu fitoi në muajin e fundit menaxhimin e parkimeve me pagesë në qytet. Dy ditë më parë, Prokuroria i kërkoi Gjykatës së Fierit masën e sigurisë burg pa afat për të arrestuarin. Por, gjykata vendosi të merrte parasysh kërkesën e avokates së Kajollit, e cila bazuar në nenin 237 të Kodit të Procedurës Penale, kërkoi që klienti i saj të lihej në arrest shtëpie. Gjykata urdhëroi Policinë e Prokurorinë që të kontrollojnë çdo lëvizje të mundshme të të pandehurit, pasi vendosi arrestin shtëpiak. Kjo masë u dha pas argumentimit të mbrojtjes se Kajolli nuk përbënte rrezikshmëri shoqërore, apo rrezik arratisjeje, si dhe ai ishte një nga biznesmenët më të fuqishëm në Fier dhe me pozicione të rëndësishme në jetën politike. Mësohet se në vitet e fundit Kajolli nuk kishte lëvizur në asnjë shtet, gjë që duket se arriti të bindë gjykatën.

Këshilltari
Pas lënies në masë arrestit të Fatmir Kajollit, mbetet pezull pozicioni i tij si përfaqësues i PR-së në Këshillin Bashkiak. I pyetur për këtë rast, një jurist deklaroi se Kajolli është këshilltar i votuar nga qytetarët dhe kësisoj gëzon mandatin prej tyre. Duke qenë se Kajolli nuk rezulton person me precedentë penalë në Shqipëri, atëherë edhe këshilli është i detyruar ta respektojë atë si një figurë të pastër. Këshilli i Bashkisë mund të kërkojë heqjen e mandatit vetëm pasi të kalojnë 6 muaj dhe ai të mos paraqitet. Më pas vijon lista e PR, pra kush është pas emrit të Kajollit, thotë ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›