E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kufiri Ndarës II”, tre në pranga, bllokohet 30 kg Cannabis

Tiranë- Policia e Tiranës ka finalizuar ditën e djeshme një tjetër operacion anti-drogë, duke çuar në arrestimin e 3 personave, si dhe në sekuestrimin e një sasie prej 30 kg lënde narkotike Cannabis Sattiva. “Nga Seksioni Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë Qarku Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, në vazhdimësi të operacionit të koduar “Kufiri Ndarës II” u arrit sekuestrimi i një sasie prej 30 kg lëndë narkotike, e dyshuar Cannabis Sattiva, e ndarë në pako, si dhe arrestimi e tre personave posedues të saj. Falë një hetimi përreth 2 muaj dhe mirëorganizimit të këtij operacioni, u arrit të kapen dhe arrestohen në flagrancë: Gjergji Qose, 38 vjeç, banues në Tiranë; Genci Zekolli, 44 vjeç, banues në Tiranë si dhe Ylli Kazazi, 54 vjeç, banues në Tiranë”, – bëri të ditur zëdhënësja e Policisë së Tiranës, Alma Katragjini.

Në bazë të hetimeve të kryera deri më tani mësohet se kjo sasi e konsiderueshme lënde narkotike dyshohet se kishte destinacion trafikimin dhe më pas shpërndarjen në Tiranë, e vendet fqinje me Shqipërinë. “Ky operacion vazhdon, pasi aktualisht po punohet intensivisht, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, për të identifikuar të tjerë persona të përfshirë në këtë rrjet trafiku dhe shpërndarje të lëndës narkotike. Ndërkohë ndaj të ndaluarve u mor masa e arrestit në flagrancë për veprën penale “Prodhim, shitje të lëndëve narkotike”, në bashkëpunim”, – thuhet në njoftimin e bluve të kryeqytetit.

Vetëm pak ditë më parë, Policia e Tiranës arriti të bllokonte një sasi prej 180 kg lëndë narkotike Cannabis Sattiva, në kuadër të pjesës së parë të këtij operacioni, ku u vu në pranga 39-vjeçari, Astrit Kuci, i cili posedonte këtë sasi droge.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›