Meta: Anëtarësimi në NATO e ka forcuar pozitën e Shqipërisë
SHBA është partneri strategjik i Shqipërisë për forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit. Ky ka qenë qëndrimi i mbajtur nga ana e zëvendëskryeministrit Ilir Meta në takimin e mbajtur me përfaqësuesin e BENS, gjeneralin Çarls Boyd. Zyra e shtypit të Ministrisë së Jashtme bën të ditur se gjatë takimit me delegacionin amerikan BENS (Business Executives for National Security) u diskutua rreth çështjeve që lidhen me rolin e Shqipërisë për sigurinë rajonale, kontributin e saj në Afganistan, integrimin e plotë të Shqipërisë në BE dhe rreth perspektivave që lidhen me rolin e investitorëve amerikanë në Shqipëri. Në këtë takim mori pjesë edhe ambasadori i SHBA në Shqipëri, Xhon Uidhers. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Meta, e vlerësoi vizitën e delegacionit BENS në vend dhe theksoi rëndësinë e marrëdhënieve me SHBA. Në këtë kontekst, u vlerësua edhe politika konstruktive dhe ajo e fqinjësisë së mirë, e ndjekur prej Qeverisë shqiptare. “Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO e ka forcuar ndjeshëm pozicionin e saj strategjik dhe rolin që ajo luan për sigurinë rajonale dhe globale”, tha kryediplomati. Më tej, Meta vlerësoi ndihmën e SHBA-ve për integrimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke kontribuar në veçanti për forcimin e sigurisë kufitare dhe kombëtare. Gjeneral Boyd vlerësoi politikën pozitive të ndjekur nga Shqipëria në rajon dhe shprehu mirënjohjen e SHBA-ve për kontributin e rëndësishëm të Shqipërisë në Afganistan, si anëtare e NATO-s. Anëtarët e delegacionit amerikan shprehën vullnetin për të inkurajuar intensifikimin e investimeve amerikane në Shqipëri, si një kontribut për rritjen e sigurisë dhe stabilitetit rajonal. Përfaqësuesit e BENS u takuan gjithashtu edhe me kryeministrin Sali Berisha. Duke vlerësuar interesimin e delegacionit mbi Shqipërinë, Kryeministri bëri një ekspoze të situatës së përgjithshme në Shqipëri, ku theksoi se synimi i qeverisë shqiptare është ta bëjë Shqipërinë një vend demokratik, me institucione të qëndrueshme, nën sundimin e shtetit ligjor dhe të zhvilluar ekonomikisht. Nga ana e tyre, delegacioni i BENS shprehu vlerësimin për arritjet e mëdha të Shqipërisë në të gjitha fushat.