Kufiri detar, Imami: Opozita të sjellë ekspertët, jemi të hapur
Reagimi i parë zyrtar i opozitës kundër marrëveshjes për caktimin e kufirit ujor me Greqinë ka nxjerrë nga përgjumja qeverinë, e cila ka ndërmarrë dje hapin e parë në drejtim të sqarimit të marrëveshjes së shumëpërfolur. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, zhvilloi dje një takim informal me përfaqësues të mediave kryesore në vend, për të diskutuar në lidhje me këtë marrëveshje për përcaktimin e kufirit me Greqinë. Ndër të tjera, Imami u shpreh dje se është i hapur të zhvillojë diskutime të hapura për këtë çështje edhe me përfaqësues të opozitës. "Jemi të gatshëm t‘u parashtrojmë ekspertëve të opozitës të gjithë informacionin që kemi mbi këtë çështje", tha ministri i Mbrojtjes, duke shtuar madje, se gazetarët mund ta përçojnë këtë mesazh te përfaqësuesit e opozitës, qoftë edhe privatisht. Megjithëse nuk është Ministria e Mbrojtjes hartuesja dhe nënshkruesja e marrëveshjes, Imami u mundua të sqaronte dje nëpërmjet Amiralit Kristaq Gerveni të gjitha çështjet e kontestuara në media për kufirin detar me Greqinë. Admirali Gerveni, që tashmë është zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, duke iu referuar konventës së OKB-së për detin (UNCLOS) sqaroi dhe u mundua të rrëzonte me radhë të gjitha kontestimet e publikuara në media, duke u bazuar më shumë në studimin e kolonelit në pension Myslim Pasha, te konkluzionet e të cilit është bazuar në fakt e gjithë oponenca ndaj marrëveshjes. Megjithatë, admirali dhe ministri i Mbrojtjes nuk mundën të jepnin përgjigje për një sërë pyetjesh që u ngritën gjatë debatit, pasi ata kishin marrë përsipër të sqaronin vetëm anën teknike të marrëveshjes, atë që u ishte besuar ushtarakëve. Mungesa e hartave të referencës për marrëveshjen, mungesa e transparencës dhe koha shumë e shkurtër e negocimit të saj nuk mund të merrnin përgjigje nga krerët e Mbrojtjes, pasi konsiderohen çështje të diplomacisë.
Gjithsesi, ministri i Mbrojtjes dha dje sinjalin se qeveria e ka kuptuar qartë se mungesa e transparencës për këtë marrëveshje ka lënë shije të keqe në opinionin publik dhe se përdorimi i forcës së kartonëve për ta finalizuar atë do të ketë pasoja. Në këtë linjë ka shkuar edhe Kuvendi i përbërë vetëm nga deputetë të mazhorancës, që nuk e përfshiu miratimin e marrëveshjes në planin e punës për tri javët e ardhshme.
K.V.
Gjithsesi, ministri i Mbrojtjes dha dje sinjalin se qeveria e ka kuptuar qartë se mungesa e transparencës për këtë marrëveshje ka lënë shije të keqe në opinionin publik dhe se përdorimi i forcës së kartonëve për ta finalizuar atë do të ketë pasoja. Në këtë linjë ka shkuar edhe Kuvendi i përbërë vetëm nga deputetë të mazhorancës, që nuk e përfshiu miratimin e marrëveshjes në planin e punës për tri javët e ardhshme.
K.V.