E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaçka: Meta akuzoi Berishën për marrëveshjen

Selia rozë denoncoi dje dyzimin e qëndrimeve të ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, tanimë që është pjesë e qeverisë "Berisha" dhe qëndrimin që ai mbante kur ishte në opozitë. Deputetja socialiste, Olta Xhaçka, para Ministrisë së Jashtme citoi disa prej deklaratave të Metës disa muaj më parë. "Vetëm pak muaj më parë LSI dhe Ilir Meta mbante këtë qëndrim: Marrëveshje e fshehtë dhe grabitqare e nënshkruar nga Sali Berisha dhe qeveria e tij antikombëtare. Berisha sillet me Shqipërinë sikur të ishte prona e tij private. Territoret ujore të vendit tonë nuk janë dhe nuk kanë për të qenë kurrë mjet pazari personal i Sali Berishës. Sali Berisha të bëjë urgjentisht transparente këtë marrëveshje të pistë antikombëtare, Kjo marrëveshje i ngjan për nga përmasat marrëveshjes për shitjen e vendit nga Ahmet Zogu", tha Xhaçka. Ajo theksoi se sot Ilir Meta dhe Sali Berisha sillen njësoj. "Sot edhe Ilir Meta është bërë pjesë e kësaj marrëveshjeje. Për dyshen Berisha-Meta, interesat kombëtare nuk ekzistojnë", përfundoi ajo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›