E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Kufiri detar", Kuvendi shtyn votimin

Marrëveshja për ndarjen e ujërave territoriale midis Shqipërisë dhe Greqisë nuk do të votohet për tri javët e ardhshme. Në kalendarin e punimeve të Kuvendit, publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni janë në rend të ditës për t‘u diskutuar një sërë projektligjesh, por kjo nismë nuk rezulton. Sipas Kuvendit bëhet e ditur se vendimi për mosfutjen e kësaj marrëveshjeje në kalendarin trejavor të punimeve të Parlamentit është marrë në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, e cila është mbajtur më 5 tetor. Në këtë mbledhje është rënë dakord që marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të Shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare të shtyhet deri në një afat të papërcaktuar. Në fund të shtatorit, kjo marrëveshje kaloi në tërësi në Komisionin e Ligjeve, pasi u dëgjuan specialistët e Ministrisë së Jashtme, të cilët dhanë argumentet e tyre para deputetëve të mazhorancës në komision se marrëveshja është realizuar sipas ligjeve në fuqi dhe nuk është shkelur asnjë e drejtë e shtetit shqiptar. Argumentet e paraqitura nga specialistët e Ministrisë së Jashtme u vlerësuan dhe u pranuan nga Komisioni i Ligjeve, i cili pasi e shqyrtoi nen për nen marrëveshjen vendosi kalimin e saj në seancë plenare për t‘u miratuar nga votat e deputetëve. Konferenca e Kryetarëve ka vendosur ta shtyjë miratimin e saj, ndikuar edhe nga qëndrimet kritike të opozitës dhe medias, të cilat e kanë kundërshtuar me argumentin se po i falen hapësirat ujore shtetit grek. Me kundërshtimin e marrëveshjes mes Greqisë dhe Shqipërisë për ujërat territorialë, kanë dalë në pah përfitimet e palës greke dhe humbjet e palës shqiptare. Veç akuzës për mungesë transparence, tanimë zërat janë shtuar për përfitimet ekonomike dhe në pah ka dalë ndërtimi i një gazsjellësi dhe marrëveshja e ndihmon Greqinë që ta shmangë Shqipërinë nga përfitimi. Kolonel Myslym Pashaj ka hartuar dhe studimin ku argumenton shkencërisht se marrëveshja i fal 354.4 km2 sipërfaqe ujore në detin Jon Greqisë, ndërkohë që shumë shoqata i kanë bërë apel Parlamentit që të mos e miratojë marrëveshjen. "Në një moment kur SHBA-ja ka 27 vjet që nuk e kanë ratifikuar marrëveshjen e Montegobejt dhe akoma kanë probleme me interesat e tyre kombëtare në të gjithë botën, pse u dashka që për 7-8 muaj ne shpejt e shpejt, në mënyrë hermetike, të nënshkruajmë marrëveshjen?", është shprehur Pashaj. Sakaq, marrëveshja për kufijtë e rinj detarë me Greqinë e nxjerr përfundimisht Shqipërinë tërësisht jashtë linjave ndërkombëtare të energjisë. Pajtim Bello, ish-zëvendësministri i Energjetikës ka zbuluar ditë më parë prapaskenat e një debati të hershëm mes Tiranës dhe Athinës për gjurmët e një gazsjellësi që transporton gazin e Kaspikut nga Turqia në Itali fillimisht përmes ujërave detare të Greqisë. Bello sqaroi planin e dy vendeve fqinje dhe çfarë kërkoi Shqipëria, në mënyrë që ajo të përfitonte nga kjo linjë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›