Kufiri detar, Panariti: Gati grupet e punës me urdhër të kryeministrit
Tiranë- Ministri i Jashtëm Edmond Panariti ka deklaruar në një prononcim mediatik se mundësitë e finalizimit të marrëveshjes detare mes Shqipërisë dhe Greqisë janë të hapura dhe se puna për zgjidhjen e këtij problemi ka nisur me urdhër të kryeministrit.
Në një intervistë në Vizion Plus, Panariti ka nguruar të jap detaje se si do të vijojë procesi, duke thënë se po pret fillimisht rezultatet e grupeve të punës.
“Me urdhër të kryeministrit janë krijuar dy grupe pune që po punojnë për prodhimin e opsioneve sa më solide për adresimin e këtij problemi. Pika e referimit në hapat e mëtejshme do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, po për të mos qenë i nxituar do të më lejoni që unë të pres rezultatin e grupeve të punës për ta bërë pastaj publik dhe për të përcaktuar më pas edhe strategjinë që ne do të ndjekim në raport me Greqinë për rinegocimin apo për opsione të tjera padyshim edhe për të mos lejuar spekulime të ndryshme nga aktorë apo faktorë sepse për ministrinë e Punëve të Jashtme mbrojtja e interesave kombëtare është prioriteti më madhor”, – deklaroi ministri Panariti.
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, njëherazi kreu i grupit të negociatorëve për marrëveshjen e ujërave me Greqinë, Gazmend Turdiu, në një reagim për mediat dy ditë më parë, mbrojti bisedimet me palën tjetër, duke hedhur poshtë akuzat e opozitës për shitje të kufijve.
“Nuk shoh asnjë shqetësim të bazuar, e them fare sinqerisht këtë gjë, e them me përgjegjësi nga pozicioni i kryetarit të grupit të punës. Ne po bëjmë një punë që është absolutisht legjitime, në bazë të një grupi të formuar sipas urdhrit të kryeministrit për të bërë një analizë të brendshme për të përfunduar me propozime të cilat u paraqiten institucioneve shqiptare për vendimmarrje. Nuk ka negociata”, – theksoi Turdiu.
Ai ka deklaruar se nuk mund të flitet për një hartë përfundimtare të kufirit dhe ka garantuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të zbatohet me rigorozitet.
Ndërkohë opozita e ka kundërshtuar fort rihapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe Greqisë për përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve.
Në një deklaratë zyrtare disa ditë më parë, Partia Socialiste theksoi se vendi, toka, deti dhe sovraniteti kombëtar nuk i përkasin qeverisë e as mund ti blejë dot me para Sali Berisha, por i popullit dhe i përket vetëm atij.
Opozita ka bërë vazhdimisht thirrje që negociatat e reja të jenë në zbatim te vendimit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe të përjashtohen nga negociatat të gjithë ata zyrtarë që morën pjesë në bisedimet për marrëveshjen e parë.
Gjithashtu i kërkohet presidentit Nishani që të ushtrojë autoritetin e tij dhe të behen publike të gjitha aktet e diskutuara deri tani, dhe negociatat të mos behen në errësirë dhe nën taviolinën e Berishës, por në konsultim të gjerë me shoqërinë.
/IDEA/