Kufiri më i rrezikshëm në botë
Nga veriu e deri te vija e demarkacionit shpie një autostradë e zbrazët. Ata që vijnë nga jugu, kalojnë nëpër një rrugë mjaft të frekuentuar, në të cilën pak pas daljes nga kryeqyteti, Seul, mund të vërehen postblloqet e para të ushtrisë. Në fund, rruga bllokohet nga tanket, muret dhe telat gjemborë.
Mirë se erdhët në paralelen e 39 - me gjasë kufirin më të rrezikshëm në botë. Kjo vijë ndanë Gadishullin e Koresë që nga viti 1945.
Në Korenë e Veriut, “shoku gjeneral”, Kim Jong Il, qëndron i ulur mbi bombën bërthamore, e në Korenë e Jugut mbeten edhe më tutje të stacionuara forcat amerikane. Që të dy kryeqytetet, Pheniani dhe Seuli, shtrihen në rrezen e veprimit të artilerisë armike.
Këtu nuk ka kalim, megjithëse ndodhë shumë rrallë që kufirin ta kalojë ndonjë delegacion. Përjashtim bën zona ekonomike Kaesong, një enklavë kjo jug-koreane në Veri, ku veshmbathjet dhe elektronika e firmave nga Koreja e Jugut prodhohen nga rreth 40,000 punëtorë veri-koreanë.
Zyrtarisht, këto dy vende janë ende në luftë. Paralelja e 38 është vija e armëpushimit. Historia: në vitin 1950 Veriu komunist sulmoi Jugun, pushtoi madje edhe Seulin. Ndërhynë forcat e OKB’së, të kryesuara nga SHBA. Kur ato depërtuan nëpër pjesët veriore të ishullit, gjegjësisht deri në kufi me Kinën, Mao Ze Dung iu doli në ndihmë veri-koreanëve me të ashtuquajturën ushtri të vullnetarëve.
Lufta përfundoi pa fitues dhe e tëra u përmbyll aty ku edhe kishte filluar: në paralelen e 38. Por me këtë rast u vranë apo u plagosën 1.5 milionë ushtarë, ndërkohë që jetën e humbën edhe dy milionë civilë.
Dy palët nuk arritën të pajtoheshin për një marrëveshje paqësore, prandaj tërhoqën një vijë ndarëse 248 kilometra të gjatë dhe katër kilometra të gjerë. Kufiri në det nuk u përcaktua, kështu që ai as sot nuk pranohet nga Koreja e Veriut dhe ky është shkas i konflikteve të vazhdueshme mes dy shteteve.
Jug-koreanët e kanë shndërruar kufirin tokësor në një destinacion për turistët. Ata atyre iu tregojnë edhe Tunelin Tre, nëpër të cilin, në vitin 1978, veri-koranët kishin tentuar të hynin në Jug - një përpjekje kjo që ishte zbuluar me kohë nga Seuli.
Edhe homologët e tyre nga Veriu sjellin turistë në kufi, më saktësisht në vendin Pamunjong. Ata aty, për shembull, turistëve u tregojnë ndërtesën në të cilën, në vitin 1953, ishte nënshkruar armëpushimi mes dy shteteve koreane.
Disa qindra metra më larg, ushtarët amerikanë dhe ata jug-koreanë qëndrojnë përballë atyre veri-koreanë. Shumë afër njëri-tjetrit.
Në tri barakat e ngjyrosura me ngjyrë të kaltër, në vijën e demarkacionit, ushtarakët e dy vendeve takohen, sa herë që pas ndonjë konflikti janë të detyruar të flasin me njëri-tjetrin.
Mysafirët e veri-koreanëve mund t’i vizitojnë këto baraka çdo të dytën ditë. Edhe pse, duket se gjatë këtyre vizitave disa vizitorë nuk e ndiejnë vetën fare mirë. Kjo për shkakun se ushtarët jug-koreanë i shikojnë në mënyrë të frikshme nga dritaret dhe i xhirojnë të pranishmit. Kur jug-koreanët vijnë me vizitorët e tyre, i njëjti ritual zhvillohet edhe nga ana tjetër. Duket se kjo histori do të vazhdojë kështu edhe për një kohë të gjatë.
Paqja mes koreanëve nuk duket në horizont.