Lul Berisha: “Procesi ndaj nesh, i montuar politikisht”
Laureta Rryçi
Tiranë - Lul Berisha dhe Indrit Dokle kanë dalë njëri pas tjetrit nga salla e gjyqit pas një vendimi të dhënë nga trupi gjykues në lidhje me rrëzimin e disa kërkesave dhe provave të kërkuara nga mbrojtja. Dalja e tyre nga salla nuk i ka dhënë as në këtë seancë mundësi të penduarit Adriatik Coli të rrëfehet përpara gjykatës. Braktisja e sallës nga të pandehurit dhe avokatët e tyre erdhi pasi gjykata refuzoi të pranonte kërkesën e tyre që në gjykatë të vijnë për të dëshmuar edhe kryeministri Sali Berisha, kryeparlamentarja Jozefina Topalli dhe ish-ministri i Brendshëm, Sokol Olldashi. Pas kësaj avokatët thanë se gjyqi është i montuar politikisht dhe duke akuzuar disa prej krerëve të shtetit, provë për të cilën kërkonin të administronin një CD me fjalimet në Parlament të krerëve të shtetit shqiptar kur ata kanë përmendur emrat e të pandehurve. Kjo kërkesë, e cila nuk është pranuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda, u ka dhënë mundësinë avokatëve të gjejnë edhe një tjetër mundësi për ta braktisur sallën e gjyqit, por Prokuroria ka kërkuar pezullimin e afateve të paraburgimit, duke mos ua dhënë mundësinë atyre të përfitimit për llogaritjen e kohës së paraburgimit.
Debati
Procesi gjyqësor ndaj të Bandës së Durrësit nuk ka vijuar ashtu siç pritej. Pas vendimit të kolegjit penal për kërkesat e paraqitura nga mbrojtja, të pandehurit kanë protestuar duke u larguar nga salla e gjyqit. “Unë po largohem, njësoj do të më dënoni si isha, si nuk isha”, - i është drejtuar dje kolegjit penal Lulëzim Berisha, i cilësuar nga prokuroria si kapoja e kësaj bande. Më tej, të njëjtin veprim ka bërë dhe rivali i tij, Indrit Dokle, duke lënë të nënkuptohet se brenda qelisë ata duket se kanë bërë një pakt me njëri-tjetrin për të fundosur thëniet e të penduarit.
Ndërsa janë larguar Berisha dhe Dokle, të njëjtin veprim kanë bërë me radhë pjesëtarët e tjerë të grupit, duke e bojkotuar në grup procesin gjyqësor. Për pasojë, i penduari Adriatik Coli nuk mundi ta vazhdonte dëshminë e tij. Gjykata vendosi që dëshmia e të penduarit të vazhdohej në seancën e ardhshme. Në dëshminë e fundit që ka dhënë Coli në procesin gjyqësor ka paralajmëruar se me faktet që do të jepte, të tjerët i priste burgu për të paguar mbi krimet që kishin bërë. Që nga ajo dëshmi janë kryer një sërë vrasjesh brenda grupit, që ishin të lirë, si dhe janë marrë një sërë masash për të survejuar çdo atentat të mundshëm ndaj të arrestuarve.
Dosja e bujshme
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur akuzën për anëtarët e bandës së Durrësit për një sërë vrasjesh. Prokuroria Për Krime të Rënda, më datë 03.04.2005 ka regjistruar procedimin penal nr.35 për veprat penale të “vrasjes me paramendim në bashkëpunim” në ngarkim të shtetasit Klodjan Saliu, “mbajtjes pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda” dhe “krijimit të grupit të strukturuar kriminal” të parashikuar nga nenet 78 – 25, 278/4 dhe 333/a të Kodit Penal. Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë, më datë 09.03.2006, pasi ka rifilluar hetimet dhe ka regjistruar procedimin penal nr. 34 në lidhje me ngjarjen e datës 17.10.1998, ku ka mbetur i vrarë shtetasi Dritan Sallaku dhe janë plagosur Ilir Nela dhe Agim Rexhepi, dhe ky procedim penal i është bashkuar procedimit penal nr. 35 të vitit 2005. Prokuroria e rrethit Gjyqësor Durrës ka regjistruar procedimin penal nr. 506 në lidhje me ngjarjen e datës 29.10.1998 në lidhje me vrasjen e shtetasve Viron Curri, Arjan Paja dhe plagosjen e shtetasit Marsel Sotiri, si dhe procedimin penal nr. 274 në lidhje me ngjarjen e datës 10.07.2000 në lidhje me vrasjen e shtetasit Dritan Disha. Zinxhiri i vrasjeve për të cilat akuzohet kjo bandë shkon edhe më tej.
Të pandehurit
Lulzim Berisha
Plaurent Dervishaj
Indrit Taullai
Endrit Dokle
Kujtim Buna
Altin Olloni
Elvin Hoxhosmani
Alban Neli
Selman Heti
Spartak Kalthi
Altin Nikolla
Kristian Begu
Bujar Gashi
Dritan Coli
Ahmet Ajetis
Osman Karpuzi
Sardian Sulejmani
Gjykata, 16 vite burg për trafik prostitucioni
Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dje të dënojë me 16 vite burg e 3 milionë lekë gjobë dy të akuzuarit për trafik prostitucioni. Gjatë ditës së djeshme, kolegji penal e cilësoi fajtorë Kliton Nanushin duke e dënuar me 8 vite burg dhe 3 milionë lekë gjobë si dhe Dorjan Velmishin me 8 vite burg. Një seancë më parë prokurori i çështjes pati kërkuar pretencën për të dy duke kërkuar ndëshkime për secilin prej tyre. Sipas akuzës për të dy u provua akuza e ngritur që në fillim dhe gjatë procesit u grumbulluan prova të mjaftueshme që vërtetonin fajësinë e tyre. Të dy të pandehurit kanë kërkuar që të gjykoheshin me gjendjen e akteve që janë duke përfituar gjykim të shkurtuar.
24 Tetor 2008