E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndalohet trafikanti i klandestinëve, tentoi të kalojë drejt Greqisë 7 fierakë



GJIROKASTËR – Trafiku klandestin mes Shqipërisë dhe Greqisë vazhdon edhe pas tragjedisë së ndodhur disa ditë më parë në Sarandë. Mbrëmjen e dy ditëve më parë ka rënë në pranga një trafikant qeniesh njerëzore që po tentonte të kalonte drejt vendit fqinj 7 shtetas nga Fieri. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se kanë ndaluar mëngjesin e deshëm shtetasin Mitat Dautaj, 48 vjeç, nga Ballshi, i dënuar më parë për veprën penale të "kundërshtimit me dhunë të punonjësve të policisë. Ndalimi i tij u bë pasi Daautaj më datën 21 tetor 2008, rreth orës 19:00, ka ndihmuar 7 persona nga Fieri, për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, kundrejt fitimit prej 600 eurosh për person. Pasi kanë kaluar kufirin e gjelbër dhe kanë bërë disa kilometra në tokën greke janë kapur nga policia greke dhe janë kthyer si deportivë në Stacionin e Policisë Kakavijë të Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër. Pas një pune të mirëfilltë policore u arrit që të identifikohej organizatori i këtij trafiku klandestinësh. Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë ndalimi i arrestuari është i akuzuar për “dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit”.

Matjanët rrëzojnë Skënderbeun dhe ngrenë Mbretin Zog

BURREL – Skënderbeu, apo mbreti Zog? Kjo është dilema e madhe që ka mbërthyer matjanët, ku autoritetet vendore të këtij rrethi janë përfshirë në një debat të ashpër për heqjen e monumentit të heroit kombëtar nga qendra e qytetit dhe zëvendësimin e tij me monumentin e mbretit Zog. Nëntë këshilltarë të Bashkisë së qytetit nga maxhoranca lokale kërkojnë heqjen e monumentit të Skënderbeut nga qendra e qytetit, ndërsa përfaqësuesit e opozitës e kundërshtojnë këtë vendim. Këshilltarët lokalë, përfaqësues të maxhorancës, kanë kërkuar që monumenti i Skënderbeut të zëvendësohet me monumentin e mbretit Zog. Një kërkesë e tillë ka çuar në debatin me këshilltarët e opozitës, të cilët nuk e pranojnë një kërkesë të tillë. Pritet që në ditët në vijim të merret një vendim për heqjen ose jo të Gjergj Kastriot Skënderbeut nga qendra e Burrelit. I njëjti problem ishte pak ditë më parë edhe në rrethin e Shkodrës, ku me një vendim të Këshillit Bashkiak u hoq nga hyrja e qytetit verior monumenti në nderim të 5 Heronjve të Vigut.

24 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›