E Diel, 1 Nëntor 2026

Komuniteti i arsimit jep 250 milionë lekë për Shkodrën

Donacioni
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, mbledh drejtorët në Komunën Dajç

Plot 250 milionë lekë është shuma që komuniteti i arsimit në Shqipëri ka mundur të mbledhë për t’u ardhur në ndihmë banorëve në zonat e përmbytura të Shkodrës.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, posaçërisht për këtë qëllim zhvendosi në Shkodër takimin e tij të punës me drejtorët e 37 drejtorive arsimore dhe zyrave arsimore të vendit. U përzgjodh komuna më e prekur nga përmbytjet, ajo e Dajçit, për të dhënë donacionet që kapin shifrën 250 mln lekë.
Të gjithë punonjësit mësimorë të Republikës së Shqipërisë, si dhe nxënës e prindërit, përgjatë këtyre javëve kanë dhënë kontributin e tyre në vlerë monetare pas situatës së përmbytjeve që përfshiu Qarkun e Shkodrës, bëjnë të ditur përfaqësuesit zyrtarë të MASH-it. Në një aktivitet të zhvilluar në Shkollën 9-vjeçare “Pjetër Gaci” të kësaj komune, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, vlerësoi të gjithë kontributin e institucioneve arsimore në vend, si pjesë e një tradite të hershme të kombit tonë.
Ai nënvizoi faktin e zhvillimit normal të procesit mësimor në të gjithë Qarkun e Shkodrës dhe theksoi nevojën e përdorimit me efikasitet të këtyre fondeve në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit arsimor. Drejtoresha e DAR-it Shkodër, Artrida Ferketi, nderoi me certifikata mirënjohjeje kontribuuesit kryesorë të sistemit arsimor. Ndërkaq, gjatë gjithë kësaj periudhe këto institucione kanë dërguar në shkollat e kësaj zone të prekur nga përmbytja, ndihma të tjera në ushqime, veshmbathje, materiale shkollore, kompletim të bibliotekave me libra artistike etj. Qarku i Shkodrës pësoi dëmtime serioze në 18 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme, si shkak i përmbytjeve të ndodhura në janar të vitit 2010. Në këtë takim, ministri Tafaj, diskutoi me drejtuesit e drejtorive arsimore për reformën në arsimin parauniversitar, risitë e Maturës Shtetërore 2010 dhe problematikat e saj.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›