E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujdes nga 80 mijë makina të përdorura

08/04/2009  Fund amnistisë së makinave. Vetëm 20 mijë mjete përfituan nga pagesat e pashlyera

Blerësi i një makine të përdorur, sipas ligjit, paguan taksat e prapambetura

Të gjithë ata që kanë ndërmend të blejnë një makinë të përdorur duhet të bëjnë kujdes. Duhet të siguroheni mirë nëse ai që ju shet makinën ka paguar detyrimet e viteve të kaluara. Në të kundërt ligji detyron blerësin që të paguajë taksat e regjistrimit dhe ato të qarkullimit. Amnistia fiskale e makinave përfundoi në datën 7 prill dhe Drejtoria e përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor nuk do të kryejë asnjë shërbim për ata persona që nuk shlyejnë detyrimet. Madje, edhe nëse kërkojnë të bëjnë kontrollin teknik apo të regjistrojnë një makinë të re, pa paguar taksat e makinës së vjetër nuk do të mund të përfitojnë asnjë shërbim. “Pas datës 7 prill, sipas ligjit, qytetarët që do të vijnë për leje drejtimi apo për kontroll teknik, apo për targim, nuk do t’u bëhet asnjë shërbim nëse nuk paguajnë detyrimet e papaguara deri më tani. Pra, qytetari që mund ta ketë hequr makinën nga qarkullimi 10 vjet para ose e ka bërë skrab, duhet të paguajë 10 vjet taksë. Përsëri ai s’mund ta çregjistrojë makinën, sepse duhet të kishte targat dhe lejen e qarkullimit. Kjo është një neglizhencë e qytetarëve sepse Drejtoria e Përgjithshme ka bërë njoftimet e mundshme për këtë proces”, - thekson Kozeta Gina, përgjegjëse e Arkivit në këtë drejtori.

Makinat e përdorura

Pas mbylljes së procesit, nuk do të ketë më gjoba. Vetëm shlyerje të detyrimeve të prapambetura, 10 mijë lekë për taksën e qarkullimit dhe 2 400 lekë për taksën e regjistrimit. Kjo shumë e shumëzuar me numrin e viteve për të cilat makina rezulton jashtë qarkullimit. Bëhet fjalë kryesisht për ato mjete për të cilat prej vitit 1994 nuk është paguar asnjë taksë. “Nëse kjo makinë është shitur, qytetari që e ka blerë duhet të sigurohet që makinës i është paguar detyrimi. Brenda 10 ditëve, sipas Kodit Rrugor, blerësi duhet të bëjë ndryshimin e aktit të pronësisë. Nëse një person e shet makinën dhe nuk dorëzon aktin e shitjes në regjistër mbetet emri i tij, sepse shitja bëhet me një akt të thjeshtë noterial. Kjo nuk do të thotë se makina ka kaluar në emrin e blerësit. Pra, ata që janë të kujdesshëm mbajnë një akt shitblerje dhe çfarëdo që të ndodhë ai e ka të dokumentuar këtë shitje të makinës”, - nënvizoi Gina. Pra, detyrimet i mbeten atij që ka blerë makinën tashmë dhe jo atij që e ka shitur atë. “Ne ndërhymë që të kishim një regjistër aktiv, pra të heqim makinat nga regjistri pasiv. Qytetarët edhe pse mund të mos kishin asnjë nga dokumentet, si targa, apo leja e qarkullimit, apo certifikata, mund të plotësonin formularin dhe të çregjistronin makinat e dala jashtë përdorimit. Tani ne do t’i nxjerrim të gjithë mjetet që dy vitet e fundit nuk kanë paguar. Ata do të kalojnë në sitë shumë të imët për çdo shërbim që do të marrin”, - tha Gina.

Disku kontrollues

Që prej ditës së sotme, u është shpërndarë të gjitha drejtorive rajonale disku republikë. “Në të gjenden të gjitha të dhënat për një automjet, që nga targa, shasia dhe leja e qarkullimit, emri apo mbiemri i personit. Aty rezultojnë të gjitha mjetet që ka në dispozicion qytetari dhe bëhet verifikimi. Për ato automjete që do të rezultojnë pagesa të pabëra, nuk do të kryhet asnjë shërbim më, pa paguar detyrimet e prapambetura”, - theksoi Gina. Gjatë katër ditëve të fundit pati një fluks kërkesash për të përfituar nga amnistia. Por gjithsesi, nga 100 mijë automjete, vetëm 20 mijë përfituan. Sipas të dhënave paraprake, të regjistruara janë 300 mijë mjete në total, nga të cilat 200 mijë janë mjete që kryejnë kontrollin teknik të përvitshëm.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›