E Diel, 1 Nëntor 2026

“Remzi Hoxhës i shkrepën në gojë pistoletën bosh”

08/04/2009  Dëshmia e mikut të biznesmenit maqedonas. Ishte dëbuar nga Kosova prej serbëve.

Shantazhet me vdekje në Ferizaj, kërcënimi i parë me thes në kokë e dhëmbë të thyera

TIRANË- Dëshmi rrëqethëse në procesin gjyqësor kundër Arben Sefgjinit dhe Avni Koldashit u dëgjuan dje nga shoku i Remzi Hoxhës. Ai tregoi detaje rreth torturave ndaj Remzi Hoxhës, të cilat i ka mësuar nga Avdyl Loshaj një tjetër i rrëmbyer dhe keqtrajtuar. Biznesmeni shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, ishte kërcënuar edhe më parë nga autoritet serbe.

Dëshmia e Zukës

Dëshmitari Basri Zuka ka treguar dje para gjykatës njohjet e tij me biznesmenin, si dhe dijenitë që ai ka marrë për zhdukjen e tij. “Remzi Hoxhën e kam njohur në shkurt të vitit 1990, kur më është paraqitur me një shokun tim Shefqet Maliqi, dhe më kanë kërkuar që të bëhem anëtar i Sindikatës së Ekonomisë së Vogël dhe të Zejtarisë në Kosovë. Në vitin 1989 është thirrur nga autoritetet serbe, pasi ka mbështetur grevën e minatorëve. Shpjegime ka dhënë edhe më vitin 1991”, ka nisur të deklarojë dëshmitari nga Kosova. Më tej ai ka shpjeguar se biznesmenit kosovar i kanë bërë disa herë kërcënime që të largohej nga Ferizaj të Kosovës, vend në të cilën edhe jetonte me familjen e tij. “Remziut i ishte bërë shantazh deri në vrasjen e familjes së tij si dhe në djegien e banesës”, ka theksuar më tej Zuka. Dëshmitari ka shpjeguar se për zhdukjen e Hoxhës e ka marrë vesh nga një prej vëllezërve të tij, por më shumë informacione kishte marrë nga Avdyl Loshaj. Mësohet se Loshaj, i kishte treguar se ishte rrëmbyer nga shërbimi informativ, duke u akuzuar për vrasjen e ish-ministrit të Brendshëm Agron Musaraj. Loshaj pasi ishte liruar kishte shkuar në Kosovë, ku edhe kishte kontaktuar më 26 janar të vitit 1997 me vëllanë e Remziut, Ethem Hoxhën, i cili më pas e kishte adresuar tek Zuka. Dëshmitari ka shpjeguar se biseda është zhvilluar në zyrat e Partisë Unikomb në Prishtinë. “Meqë ishte hera e parë bisedën e kam regjistruar dhe më pas e kam zbardhur të gjitha i kam dorëzuar në Prokurori. Gjatë bisedës, Loshaj përmendi rreth tri emra, të cilat nuk i mbaj mend. Loshaj më tha se i kishte dëgjuar të bërtiturat e Remziut. Kur më ka thënë këto fakte ka qenë në gjendje shpirtërore jo shumë të mirë”, tregoi dyshimtari, ndërsa theksoi se “Remziun e kishin mbështjellë me çarçaf i kishin futur një armë në gojë dhe kishin stimuluar shkrepjen, pasi arma nuk kishte plumba”. Në fund dëshmitari ka sqaruar se ishte takuar edhe me të ëmën e Avdyl Loshajt, e cila i kishte treguar se pasi i kishte ardhur i biri nga Shqipëria dhëmbët i kishte të thyer.

Funksionari i PS-së

Ish-kryetari i Partisë Socialiste në Sarandë ka treguar dje kërcënimet që i janë bërë Ziso Kristopulit, si dhe gjendjen e tij pas marrjes nga shërbimi informativ. Astrit Llanaj ka shpjeguar se gjatë kohës që Ziso ishte në krye të partisë i kishte shkuar disa herë në zyrë duke i thënë se kishte marrë kërcënime të shumta. “Në muajin tetor më vijnë përfaqësuesit e partisë së Ksamilit dhe më thonë që kanë marrë Zison ata të shërbimit informativ. Kam shkuar menjëherë në zyrë dhe pasi kam zbritur nga shkallët e godinës, ku jam ndeshur me ish kryetarin e SHIK-ut, Alfred Dukën. E kam pyetur në lidhje me Remziun dhe më është treguar shumë i ftohtë duke bërë sikur nuk e njihte”, ka treguar dëshmitari. Sipas tij, ai kishte vënë një njoftim në një të përditshme, e cila jepte lajmin çdo ditë. Pas disa ditësh Ziso Krtisopuli do të lirohet. “I kam shkuar në banesë. Ishte rrahur barbarisht, kishte shenja. Kur e kam pyetur më tha që e akuzonin për trafik armësh, dhe kishte firmosur atë që i kishin kërkuar. Më tha që kishte dy mundësi ose të firmoste ose do ta vrisnin”, ka vazhduar Llanaj. Në fund dëshmitari ka shpjeguar se Ziso i kishte thënë që nuk njihte njeri pasi i kishin vënë thesin në kokë. Të pandehurit që akuzohen në këtë proces gjyqësor janë Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi, të tre ish-punonjës të Shërbimit Informativ të SHIK-ut.

Punëtorët e fabrikës panë rrëmbimin

“Pasi e morën Remzi Hoxhën dy personat u larguan dhe vendin ia lanë dy të tjerëve. Ata erdhën kontrolluan makinën dhe nuk na kanë thënë asgjë”, tha një dëshmitar. Personat që kanë marrë Remzi Hoxhën, sipas dëshmitarit, kanë qenë të armatosur. Madje më 21 tetor pasdite, sipas dëshmitarit, në momentin kur është marrë Remzi Hoxha të gjithë punonjësit janë bërë kurioz të shihnin se çfarë po ndodhte dhe kanë dalë jashtë. “Të gjithë tentuan të dilnin të shihnin se çfarë po ndodhte, por një person që qëndronte jashtë punishtes i armatosur nuk na ka lënë”,-thuhet në dëshmi.

Dëshmitarët VIP të procesit gjyqësor

Mes dëshmitarëve në këtë proces janë pyetur edhe gjenerali Agim Shehu, ish- drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, njëkohësisht ish- zv/ministër i Brendshëm dhe Fatos Klosi ish-shefi i SHIK-ut. Po kështu Prokuroria ka lexuar disa seanca më parë edhe dëshminë e vetme të dhënë nga ish-drejtori i SHIK-ut, Bashkim Gazidede, (tashmë i vdekur). Janë pyetur disa ish-punonjës të Shërbimit Informativ dhe po kështu familjarët e Remzi Hoxhës. Në asnjë rast nuk janë përmendur emrat e të pandehurve. Madje edhe Bashkim Gazidede në dëshminë e tij dhënë para disa vitesh është shprehur vetëm për mënyrën se si vepronte SHIK-u.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›