E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujdes nga Argjentina

Para se ta bëjë publike listën e 30 emrave që do t’i ftojë në Botërorin 2010, Diego Armando Maradona ka preferuar të flasë për gjasat që ka ekipi i tij për të triumfuar në Afrikën e Jugut.

49 vjeçari thotë se do të mundohet t’ia sjellë gëzimin vendit të tij, pas 25 vjetësh, që ishte hera e fundit që kur argjentinasit e patën fituar kompeticionin më të rëndësishëm në botë të futbollit.

“Kemi material dhe dëshirë për të arritur sukses dhe për të punuar mirë. Unë jam trajneri, ndërsa puna tjetër i përket djelmoshave”, ka thënë Maradona, i bindur në potencialin e skuadrës pas fitores në miqësoren kundër Gjermanisë më 3 mars të këtij viti.

“Pas fitores me Gjermaninë, të gjithë e kanë kuptuar se nuk duhet nënvlerësuar Argjentinën”, shtoi Maradona, që ishte mysafir i emisionit të së dielës në një televizion argjentinas që udhëhiqet nga prezantuesja Susana Gimenez. “Ajo ndeshje i ka ndryshuar shumë gjëra, tash e kanë kuptuar të gjithë se kush jemi”, nënvizoi ai.

Legjenda e futbollit argjentinas dhe atij botëror pret më së shumti nga ylli i Barcelonës, Lionel Messi, aktualisht futbollisti më i mirë në rruzull. “Do më pëlqente që ai të eksplodojë përfundimisht dhe shpresoj që të më kalojë mua”, vazhdoi Maradona, që llogarit në fenomenin e ri të katalonasve.

Maradona e pranon se shpesh i kujtohet fitorja me Anglinë, që e kishte fituar si lojtar me rezultat 2:1, por shton se i kujtohet fatkeqësisht edhe humbja e thellë 6:1 nga Bolivia, që e përjetoi si trajner vitin e kaluar.

Është e sigurt se në Afrikën e Jugut do të hapet një kapitull i rëndësishëm dhe një histori e re për ‘Pibe de Oro’, që viteve të fundit është këndellur pas problemeve që kishte me drogën dhe alkoolin. “Kanë kaluar gjashtë vjet që nuk kam përdorur drogë. Këtë e kam bërë për vajzat e mia”, tha në fund Maradona.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›