E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma zgjedhore cakton fatin e Topallit

Autori i Lajmit: red.
Socialistët nuk e harrojnë mocionin për Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Ata premtojnë se me fillimin e shtatorit do ti rikthehen kësaj çështje. Edhe pse duket se si kusht primar për këtë çështje do të shërbejë reforma zgjedhore. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe pohon se do të përcaktojnë përfundimisht qëndrimin e tyre për mocion ndaj kryeparlamentare pasi të shohin ecurinë e reformës zgjedhore. Ai pohon se pikërisht nga kjo çështje do të kushtëzohet dhe pjesëmarrja e socialistëve në tryezën e reformës të sistemit të drejtësisë. Por numri dy i deputetëve socialistë nuk i kursen kritikat për punë e kryeparlamentares. Madje dhe deklaratën e saj për një sesion konsensusi, Braçe e konsideroi si aspak serioz. “Edhe unë e ndoqa dje bilancin topall të zonjës Topalli. Natyrisht që nuk prisja këtë. Nuk prisja një bilanc joserioz dhe mbi të gjitha provokativ. Prisja një bilanc serioz dhe të ndershëm për atë që ka ndodhur gjatë këtij sesioni në Kuvendin. Më lejoni t iu them se Kuvendi u mbyll me skandalin e publikuar jo prej nesh por prej monitorëve të huaj të cilët u përzunë nga llozhat e Kuvendit duke cënuar jo më shumë sesa të drejtën etike të informimit të kujtdo në Parlament por si shenjë lufte e drejpërdrejtë përkundrejt mbështetjes ndërkombëtare për prokurorinë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, - tha Braçe. Sipas tij gjatë 6 muajve të punës së Kuvendit, Topalli ka patur si mision të sajin të zhbëjë opozitën dhe të pengojë misionin kushtetues të saj për kontrollin parlamentar të Qeverisë në Kuvend. Ai kujtoi se gjatë këtij sesioni opozita mundi të zhvillonte vetëm 1 interpelancë nga 8 të kërkura, 5 nga të cilat ishin urgjente. Madje ai kujtoi se Topalli mohoi dhe nismën e PS-së për dëmshpërblimin e familjeve dhe bizneseve të dëmtuara nga tragjedia shtetërore e Gërdecit. “Sesioni që sapo u mbyll do të mbahet mend për rrugaçërinë maksimale në sallën e Kuvendit të shfaqura nga Kryeministri i cili gazetën më të madhe të botës e quan letër higjenike, deputetit të Parlamentit i thotë do ta bëjë fytyrën si këpuca, deputetit që kërkon tranparencë në sallën e Kuvendit i thotë, më falni për shprehjen, shkërdhatë. Dhe në fund të gjitha këto nuk shënohen në dokumentat parlamentare se nuk i do qejfi zonjës Topalli”, - tha Braçe duke komentuar punën e 6 muajve të Kuvendit.

Ky lajm është publikuar: 31/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›