E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamenti dështoi në angazhimet që mori në 4 prill

Autori i Lajmit: red.
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Pëllumb xhufi e konsideron si të dështuar punën 6-mujore të Kuvendit të Shqipërisë. Sipas tij Kuvendi dështoi në angazhimin e detyrimin e tij për të realizuar para samitit të NATO-s në Bukuresht, 4 prill 2008, dy reformat themelore, reformën zgjedhore dhe reformën në drejtësi. “E dyta pothuaj nuk ka filluar sot e kësaj dite. E para, reforma zgjedhore, e filluar si një marrëveshje përjashtuese e jashtëinstitucionale PS-PD, ndodhet sot në një udhëkryq të rrezikshëm. Seanca e fundit e 28 korrikut shpalli hapur dështimin në hartimin e kodit të ri zgjedhor, duke e shtyrë për kalendat greke këtë dokument themeltar për realizimin e zgjedhjeve korrekte të vitit 2009”, - tha Xhufi. Një tjetër dështim i këtij sesioni për të, është miratimi i ndryshimeve kushtetuese më 21 prill pas një konsensusi PD-PS. Sipas tij ndryshimet kushtetuese janë njolla e zezë, që damkos në mënyrë të pakthyeshme integritetin e historinë e këtij Parlamenti. Ai kujtoi se në dhjetor të vitit 2007 “Progres Raporti” i KE-së e kritikoi rëndë Kuvendin, posaçërisht shumicën parlamentare, për kalimin e shpejtë, pa ekspertizë e në mënyrë të njëanshme të ligjeve, që i shërbejnë axhendës politike afatshkurtër të saj. Sipas tij gjatë këtij sesioni kanë kaluar dhe shumë ligje që fshehin interesa të ngushta ekonomike të segmenteve të caktuara politike. “Ftesa e NATO-s për Shqipërinë në muajin prill, dhe nënshkrimi i Protokolleve në muajin korrik, janë dy arritje madhore, që i detyrohen në rradhë të parë vokacionit pro-atlantist të popullit shqiptar, si dhe reformave të kryera në vite nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Por, dështimi në realizimin e reformës zgjedhore e asaj në drejtësi, dështimi në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, e mbi të gjitha tragjedia e Gërdecit, treguan se Qeveria dhe mazhoranca në Parlament, kanë patur edhe implikime tepër negative në procesin e anëtarësimit në NATO”, - tha ai. Xhufi e konsideroi të dështuar dhe turin e Topallit i cili shërbeu sipas tij, vetëm për shpërdorim kolosal të parave publike.

Ky lajm është publikuar: 31/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›