E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria e re karshillëk ndaj prokurorisë

Autori i Lajmit: red.
Partia Socialiste reagon vetëm pak minuta pas betimit të ministrave të rinj në Presidencë. Nënkryetari i Grupit Parlamentar Erion Braçe tha se këto ndryshime janë karshillëk ndaj prokurorisë. Duke u ndalur në hetimet për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit, ku mbetën të vrarë 26 personave, e mbi 300 të tjerë u plagosën, Brace akuzoi Kryeministrin Berisha si pengesa kryesore e hetimeve. Sipas tij, “krimi shtetëror” i Gërdecit do të mbetet shenja më e dallueshme e këtij semestri qeverisës së Sali Berishës apo këtij sesioni lavatriçe të Parlamentit të Jozefina Topallit që e ka implikuar jo pak atë. Braçe mbështet prokurorinë e cila ka formuluar akuzë të re lidhur me hetimet mbi krimin shtetëror të Gërdecit, atë të vrasjes në më shumë se një rast të kryer në Gërdec ndërsa inkurajoi organin e akuzës të thellojë hetimet drejt këtij grupit të strukturuar kriminal. “Po këtë javë, prokuroria njoftoi se ka marrë dhe 3 muaj kohë për të thelluar hetimet ndaj personave nën hetim për këtë krim, nën motivin e pengesave të mëdha të hasura, të krijuara për të hetuar ndaj imunitarëve politikë të dyshuar gjerësisht si të përfshirë në krim”, - tha Braçe ndërsa theksoi se prokuroria duhet të zbatojë ligjin me rreptësi ndaj çdo zyrtari apo kujtdo tjetër që pengon drejtësinë të zbardhë krimin. Ai tha se Prokuroria duhet të kuptojë se hetimi i krimit shtetëror të Gërdecit është i lidhur ngushtë me ekzistencën e saj reale - jo formale - në sytë e opinionit publik, në vëmendjen e shoqërisë shqiptare. “Inkurajojmë prokurorinë për të hetuar krimin tjetër, atë të përfshirjes së qeverisë shqiptare në tregtinë e armëve me një tregtar të luftës, të listuar në të zezë në SHBA e kudo, me adresa reale e të rreme në Bosnjën serbe, berberanën qipriote, e klube nate në Zvicër, i cili nuk ka ushqyer llogaritë publike të qeverisë shqiptare por llogaritë e zeza të anëtarëve e zyrtarëve të qeverisë shqiptarëve, e gjitha në mashtrim të qeverisë së SHBA dhe Aleancës kundër terrorit”, - tha ai. Braçe kundërshtoi dhe deklaratat e Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit për investimet duke pohuar se shifrat e publikuara prej tij janë të miratuara në Kuvend.
Ky lajm është publikuar: 31/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›