E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama shpall aksionin politik kundër manipulimeve në zgjedhje

Kreu i PS-së: “Kauza, jo vetëm e PS-së, por e çdo partie që është kundër vjedhjes së votave”

Shaban Sulçe
Kryetari i Partisë Socialiste ka shpallur dje nismën për zhvillimin e një aksioni të gjerë politik, i cili synon t’i sensibilizojë shqiptarët se përse Partia Socialiste ka vendosur bojkot me kushte për pjesëmarrjen në Kuvend. Këtë fushatë kreu i PS-së, Ei Rama, e ka shpallur dje menjëherë pas një takimi që ka zhvilluar me deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Sipas Ramës, nëpërmjet kësaj fushate, e cila pritet të zhvillohet në qytetet kryesore të vendit, do të tentohet të rritet kapaciteti informues i opozitës për të vërtetën e maskaradës zgjedhore të 28 qershorit. Ai nuk e ka përjashtuar edhe organizimin e protestave kundër hezitimit të maxhorancës për transparencën e zgjedhjeve.

Aksioni
Rama tha se në kushtet ku demokracia është vënë në rrezik dhe në kushtet e një terri informativ, Partia Socialiste do të nisë një aksion të gjerë politik, i cili synon intensifikimin e kontakteve me të gjithë ata qytetarë, të cilët nuk mund ta pranojnë këtë realitet të imponuar për shkak të manipulimit të zgjedhjeve. “Aksioni ynë politik do të shtrihet në të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me rritjen e kapacitetit informues të opozitës, në kushtet kur një pjesë e madhe e medias bën sikur nuk dëgjon, bën sikur nuk kupton apo nuk shikon. Në kushtet kur një pjesë e madhe e medias i është nënshtruar tërësisht të gjithë axhendës së këtij pushteti të deformuar dhe deformues, të korruptuar dhe korruptues. Në kushtet kur flitet për një gjë kaq elementare dhe kaq të thjeshtë sa ç’është e drejta e ligjshme dhe demokratike për transparencë të kutive të votimit dhe një pjesë e madhe e medias bën sikur nuk e dëgjon, bën sikur nuk e shikon, bën sikur nuk e kupton që ndërkohë kutitë ku vullneti i popullit është shprehur janë mbyllur dhe kyçur në terr në mënyrë të paligjshme, duke gjunjëzuar edhe vetë pushtetin gjyqësor, në një moment që fare thjesht shpjegon se kur një parti e tërë, një opozitë e tërë nuk gjen dot të drejtën në dyert e pushtetit gjyqësor, çfarë mund të presë një qytetar i pambrojtur, çfarë mund të presë një komunitet i lënë në mëshirë të fatit? Pra, është e domosdoshme që në këto kushte ne të intensifikojmë dhe do të intensifikojmë kontaktet tona me qytetarët, kontaktet tona me të gjithë ata që nuk duan ta pranojnë këtë realitet të imponuar dhe të deformuar përmes forcash, të cilat po veprojnë çdo ditë e më shumë në kundërshtim me interesat e përbashkëta të vendit dhe sigurisht që të gjitha mjetet demokratike janë në dispozicionin e çdokujt që kërkon të ngrejë kauzën e tij dhe për më tepër të opozitës që nuk do të kursejë veten dhe asnjë mjet për ta bërë këtë kauzë një kauzë që dëgjohet, një kauzë që shikohet dhe kuptohet qartë edhe nga ata që nuk duan të dëgjojnë, shikojnë dhe kuptojnë sot”, - tha kreu i PS-së.

Kauza
Kreu në detyrë i PS-së e cilësoi këtë një kauzë shumë të rëndësishme për të ardhmen e demokracisë në vend. Ai sqaroi se kjo nuk është vetëm kauzë e PS-së, duke nënkuptuar se në këtë aksion politik do të përfshihen edhe forca të tjera politike, edhe nga ato të spektrit të djathtë. “Unë dua të nënvizoj vullnetin tonë të plotë për ta çuar përpara këtë kauzë, si një kauzë që nuk është kauza e një partie politike, por është një kauzë shumë më e madhe sesa një parti politike, është një kauzë që ka të bëjë drejtpërdrejt me mënyrën se si funksionon jeta demokratike në këtë vend dhe me kërcënimin serioz që u bëhet përmes pushtetit të sotëm funksioneve jetike të demokracisë. Sot ne kemi shtruar bashkërisht atë çka do të jetë aksioni ynë politik, i cili fillon me kushtëzimin e Kuvendit, por pa asnjë dyshim nuk mbaron këtu. Përkundrazi, do të shtrihet edhe në aspekte të tjera”, - vijoi Rama.

BOXE
Takimi me deputetët
Gjatë paradites së djeshme, kryesocialisti Edi Rama ka zhvilluar një takim me Grupin Parlamentar socialist. Mësohet se në këtë takim kanë munguar deputetët Malaj dhe Blushi, ndërkohë që tema kryesore e bisedimeve ka qenë marrja e masave organizative për zhvillimin e aksionit politik të PS-së në kuadër të denoncimit të manipulimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Kjo fushatë pritet të shtrihet në të gjitha qytetet e vendit, dhe Rama ka kërkuar nga të zgjedhurit e PS-së angazhim sa më të madh në lidhje me këtë çështje.

Rama, takim edhe me Dulen
Kreu në detyrë i Partisë Socialiste, Edi Rama, pritet që të zhvillojë një takim edhe me kryetarin e PBDNJ-së, Vangjel Dule. Kjo pasi kryesocialisti ka shpallur nismën për organizimin e ri të opozitës. Ai pritet të ftojë Dulen dhe PBDNJ-në që të jenë pjesë e aksionit politik të PS-së, ndërkohë që një gjë të tillë ai e ka bërë edhe me krerët e partive të tjera opozitare, jo vetëm të së majtës, por edhe të së djathtës. Gjatë këtyre ditëve Rama ka zhvilluar takime kokë më kokë me kreun e PSD-së, Skënder Gjinushi, kreun e PDS-së, Paskal Milo, si dhe me kreun e Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ndërkohë që pritet që ai të takohet edhe me kreun e LZHK-së, Dashamir Shehi dhe kreun e PLD-së, Spartak Ngjela.

9 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›