“Ndotja, plani i Ramës për të shndërruar liqenin në zonë ndërtimi”
Ambientalistët thonë se rivitalizohet projekti i Bashkisë së Tiranës për tharjen e liqenit, e diskutuar për herë të parë në vitin 2007
Dy vjet më parë, gjatë diskutimit për “Tiranën policentrike”, bashkia hodhi në tryezë një projekt që u prit me shumë polemika: shndërrimin e zonës së Liqenit Artificial në një qendër të re për atë pjesë të qytetit. Banorët e zonës kujtojnë se atëherë ky projekt u prit keq nga diskutuesit, duke bërë që të mos vijohej një debat i tillë.
Por, dje, pamja e liqenit dukej krejt ndryshe: ngjyra e gjelbër që duhet të dukej në zonën përreth, kësaj here kishte përfshirë edhe liqenin. Shumë prej banorëve të zonës dhe personave që çdo mëngjes vrapojnë në kodrat e liqenit, mund të ndryshojnë mendim për funksionin e këtij oazi të kryeqytetit.
“Unë banoj këtu, – na thotë Seiti, duke treguar me gisht poshtë digës, – dhe e shoh liqenin çdo ditë. Nuk mund të besoj që kjo ka ndodhur pa dashje. Para dy vitesh qarkulluan fjalët për tharjen e liqenit, por këto fjalë të hedhura nga bashkia u mbytën kur u pa reagimi”.
Dje, ngjyra dhe aroma ishte shpërndarë në të gjithë liqenin. Si pjesa veriore dhe ajo jugore ishin kthyer në formën e re të Liqenit Artificial, që më shumë i përngjante një kënete të vogël në formim.
Shkaku i ndotjes së liqenit nuk dihet ende. Drejtoria e Shëndetit Publik e kryeqytetit ka përjashtuar ndotjen bakteriale, por duke lënë në fuqi mundësinë e një ndotjeje kimike. “Analizat kimike të kampionit të marrë nga liqeni do të përfundojnë nesër dhe do t`i bëjmë të ditura menjëherë”, – bëhet e ditur nga Drejtoria e Shëndetit Publik.
Ajo që dihet është se për të shpëtuar liqenin ai së pari duhet tharë. Drejtori i Shëndetit Publik, z. Mëhill Gecaj, pohoi se është e pamundur që liqenit t’i hidhet ujë, pasi kjo do të rrezikonte përmbytje.
Ambientalistët nuk e përjashtojnë mundësinë e një ndotjeje të qëllimshme. “Kjo është një mundësi për të betonizuar edhe pikën e vetme të gjelbëruar të Tiranës, – thotë ambientalisti Lavdosh Ferruni. – Mundet që pas disa ditësh të thonë: ‘Duhet të zbrazim liqenin dhe ta rimbushim se nuk kemi ç’të bëjmë’, e më pas të thonë: ‘Na falni, por kuptuam se liqeni nuk mund të mbushet përsëri’, duke e çuar drejt betonizimit”.
“Asgjë nuk mund të përjashtohet, sidomos kur një projekt i tillë është hedhur në diskutim”, – thotë ai, duke shtuar se ekziston edhe një tjetër mundësi e kësaj ndotjeje. Sipas z. Ferruni, ndotja mund të ketë ardhur nga pakujdesia gjatë ndërtimit të një prej pallateve afër digës, ku kanë shpuar për ujë të pijshëm.
“Kjo gjë fatkeqësisht pritej, – na thotë përfaqësuesi i organizatës kundër betonizimit të Tiranës, z. Altin Goxhaj, – është një projekt i vjetër i bashkisë që po vendoset në jetë në mënyrë të ngadaltë. Tashmë thjesht presin që banorët e zonës, duke parë rrezikun që u kanoset, të kërkojnë që liqeni të thahet dhe më pas t`u bëjnë “nder” banorëve, duke e shndërruar zonën në një shesh ndërtimi”.
Në fakt, liqeni ka pronar, janë shtatë familje që kanë pronat e tyre aty ku sot gjendet këneta e vogël e pak kohë më parë gjendej uji i pastër i liqenit. Këto toka u shtetëzuan në vitin 1967, kur do të ndërtohej diga e re e Liqenit Artificial. “Në çdo rast kjo ndotje ka ndodhur me dashje, – thotë Altin Goxhaj, – është e pamundur që ndotja në formën që ka të jetë bërë vetiu”.
Liqeni Artificial i Tiranës është ndërtuar në vitin 1967 dhe pas betonizimit të vazhdueshëm të kryeqytetit, pas shembjes së komunizmit mbeti i vetmi oaz i gjelbër në metropolin e vetëm shqiptar. Thuajse të gjithë ambientalistët, por edhe qytetarët e zonës janë të njëmendtë se zhdukja e liqenit, do të thotë zhdukje e zonës së vetme ku një banor i Tiranës mund të thithë ajër të pastër.
Ambientalistët thonë se askush nuk ka bërë aq sa duhet për mjedisin përgjatë gjithë jetës së shtetit shqiptar, por nëse një plan i tillë për shkatërrimin e liqenit, është i vërtetë, atëherë kjo do të ishte një vrasje me dashje e të gjithë banorëve të Tiranës, në një kohë kur kryeqyteti shqiptar edhe me këtë liqen ka nivelin më të lartë të sëmundjes me kancer në rajon. E për më tepër, një humbje e tillë, nuk arsyetohet nga asnjë plan i bukur që mund ta zëvendësojë.