Kontrolle joprofesionale mbi automjetet në përdorim
Situata
Aktualisht nuk ka kontrolle të rrepta dhe profesionale mbi parkun e vjetërsuar të mjeteve në përdorim. Jemi dëshmitarë të një Policie Rrugore të pa pajisur me mjete dhe teknologji të papërshtatshme për një kontroll normal të trafikut, një Polici Rrugore në mjaft raste inekzistente ndaj kundërvajtjeve të dukshme dhe një polici me një vizion të cunguar për të përmbushur misionin që i ka ngarkuar vetes së saj për një parandalim efikas të aksidenteve rrugore. Në imazhin e mjaft qytetarëve vendas, policia fatkeqësisht shihet si pjesë e problematikës së rënduar që ka trafiku rrugor dhe jo si pjesë e zgjidhjes dhe përmirësimit të tij. Ndërsa të huajt, më së shumti janë të befasuar nga një prani policore kaq e shtuar dhe kaq pak eficiente. Mangësitë e theksuara në trajnimin e efektivëve, reformat mbi kritere preferencash politike dhe kërcënimi i vazhdueshëm nga trafiku i influencave dhe “të fortëve” kanë çuar në aplikimin e dy standardeve në kërkesën për zbatimin e ligjit nga shërbimet e policisë, duke zbehur besimin qytetar ndaj profesionalizmit dhe trajtimit të barabartë të tyre para ligjit. Në kushtet e një menaxhimi problematik të shoqëruar shpesh me raste flagrante korruptive, mendojmë se do të ishte më rezultative që shërbimi i policisë rrugore të ristrukturohet dhe të menaxhohet e drejtohet nga Drejtoria e Policisë Rrugore si përgjegjëse e ngarkuar me ligj për mbarëvajtjen e këtij shërbimi. Një strukturë e tillë do ta çlironte këtë shërbim nga varësia e shumëfishtë e drejtuesve të policive vendore, që vetëm shtojnë hallkat në zinxhirin e varësisë, por jo përgjegjësinë për mbarëvajtjen në menaxhimin e trafikut e zbatimin e ligjit. Kjo do të kufizonte hapësirat për veprime korruptive që përfundojnë më së shumti me ndëshkime të atyre që duhet të jenë të fundit në hierarkinë e përgjegjësisë ligjore për këto akte. Një aspekt tjetër madhor që ndikon drejtpërdrejt në performancën e shërbimit të policisë rrugore është informatizimi i aktivitetit administrativ. Për sa kohë që shërbimi i policisë rrugore do të vazhdojë të operojë pa një sistem të informatizuar, pa një database të të gjithë aktivitetit administrativ të gjobave, mjeteve të bllokuara, leje-drejtimeve (patentave) të pezulluara etj., nuk do të mund të jetë efektive dhe racionale në ndërhyrjet e saj për kontrollin e zbatimit të ligjit, nuk do të mund të eliminojë plotësisht influencat, ndërhyrjet dhe bashkë me to dhe sjelljet korruptive.
#