Kujtimet e Mustafa Nanos: Kur qeshnim ditën që vdiq Enveri, si u bëra kandidat i PPSH
Alma MileIshte koha e radhëve të qumështit, e teritalit, e televizorit bardh e zi... Ishte koha e uniformitetit. Si për të na kujtuar ato vite analisti Mustafa Nano i sjell lexuesit një libër eseistik të titulluar “Hinterlandi i kuq – 20 vjet më pas”, pjesë e kolonës së botimeve të Universitetit Evropian të Tiranës (UET). Nano nuk tenton të na tregojë ndonjë gjë të panjohur, apo të çuditshme. Ai tregon për jetën e tij në qytetin e çorovodës, pas një distance kohore 20-vjeçare nga rënia e diktaturës. Përshkruan me detaje këtë humbëtirë shqiptare, të ngjashme me çdo qytet tjetër provincial shqiptar; ndërtesat, rrugët, lapidarët... Rrëfen për ndodhira të vogla e të mëdha në jetën e tij qysh fëmijë, siç mund të jetë blerja e një televizori, apo të një palë këpucëve, pritjet e gjata për të parë vajzën që i pëlqente, bisedat me moshatarët, që nga tërheqjet seksuale, tek ato antikomuniste... Dhe “Hinterlandi i kuq” mund të jetë libri i çdo shqiptari, mbi të 30-at, që nuk ka lindur në kryeqytet. Duke lexuar “Hinterlandin”, çdokush kujton veten në atë varfëri tronditëse, ku të gjithë jetonin në apartamentet 1+1, të mobiluar në të njëjtin stil, ku shihej vetëm një stacion televiziv, ku bibliotekat e librave skuqnin nga veprat e diktatorit Hoxha edhe menuja e tavolinës ishte thuajse e njëjtë... Por ajo çka e bën njëkohësisht tepër vetanak këtë libër, nuk është thjesht e vetëm konteksti, personazhet që hyjnë e dalin dhe emrat e përveçëm, por stili me të cilin është shkruar. Një gjuhë e kthjellët, e rrjedhshme, jo impozante, që të bën ta përpish me një frymë. Nano është tërësisht i hapur në ato që thotë. Nuk i pëlqen që të ketë “skelete në dollap”, ndaj dhe nuk druhet që të tregojë se ç’ndodhte në familjen e tij, ku e ëma ishte komuniste, të rrëfejë karagjozllëqet e fëmijërisë, femrat që kishte qejf në të ri, dhe këtë nuk e bën për snobizëm, por për t’i dhënë ca ngjyra jetës gri në qytetin - humbëtirë ku ai jetonte. Madje nuk druhet të tregojë se ndryshimi i sistemeve e gjeti me teserën e Partisë së Punës në xhep, të cilën e mori jo për ideal, por për procedurë. Teksa rrëfehet lë të kuptohet mendimi që ai kishte për diktaturën, diktatorin, por dhe zhgënjimet e mëvonshme. Pjesë nga libriQyteti çorovoda është një entitet urban që mban gjithë ditën e ditës vulën e makthit bolshevik. është një qytet me pallate pesë e gjashtë katëshe të ndërtuara kryesisht në periudhën 1965-1980. Arkitekti i këtyre pallateve duhet të ketë patur një mendje prej frankensteini. Pallatet janë identikë, me ndonjë thyerje të ndrojtur që, në vend ta vrasë shterpësinë e monotoninë stilistike, e thekson më shumë atë. Janë me tulla të bardha, me mure jo të suvatuara nga jashtë, me ballkone të vegjël të tërhequr nga brenda apartamenteve, me tarracë, pa ashensor, me një kafaz të ngushtë shkallësh, aq sa kush zbret duhet t’i hapë rrugën atij që ngjitet, e me ca apartamente, sipërfaqja e të cilave është më pak se 50-60 metra katrorë. Pavarësisht te gjithave, kujt i vinte radha për të marrë një apartament të tillë, mbulohej nga urimet e të gjithëve, të cilët nuk harronin t’i shkonin në shtëpinë e re, t’i lëshonin ndonjë pako llokume, apo dhe pará të thata mbi tabakanë, me të cilën u servirej raki, karamele e glikó nga të zotët e shtëpisë, dhe në fund, duke u çuar e duke u përshëndetur, thoshin: Ja, shpëtuat dhe ju! E gëzofshi! Qytete pa histori, si çorovoda, nuk kishin shans tjetër, veçse të rriteshin nën regjimin autarkik komunist. Sigurisht, ishte një rritje e sforcuar, por ishte rritje, prapëseprapë. Ndërsa këto kohë, për herë të parë pas gjysmë shekulli, ai qytet po bën hapa prapa. Doni një shembull? Për t’u konsultuar me një mjek mbi një emergjencë shëndetësore, u duhet të zhvendosen nja 50 kilometra më tutje, në Berat. Me autobus, në atë rrugë dredha-dredha e me asfalt të shqepur e të pa arnuar, lipsen nja dy orë të mira për të vajtur. Kohë e mjaftueshme për të vdekur rreth tre herë. Ishin më mirë kur ishin më keq? është e sigurt se ishin më të lumtur se sa në ditët e sotme. është domethënëse kjo? Mundet të jetë po aq sa është klasifikimi i vendeve më të lumtura të botës, ku rezulton se sipas database-it të profesoreshës së universitetit Erasmus të Rotterdam-it, Ruut Veenhoven, meksikanët dhe nigerianët janë më të lumtur se sa respektivisht amerikano- veriorët e koreano-jugorët. Me sa duket, shumica e njerëzve nuk e lidhin lumturinë thjesht dhe vetëm me lirinë e me kamjen.Me këtë duhet të shpjegohet në një masë jo të vogël orientimi politik i njerëzve të asaj zone, të cilët ishin të parët që u vunë në mbrojtje të regjimit që po binte në fillim të viteve ‘90. Atyre u dukej sikur po ua bënin me hile, po ua përmbysnin, dhe fap, nxituan t’i vënë shpatullat. Veshja Mapo-ja e çorovodës kish pesë – po huazoj një emërtim nga bota e superstore-eve - departamente, të cilët ndaheshin nga njëri-tjetri nga kolona katërkëndore të veshura me pasqyra në tërë lartësinë e tyre. Sapo hyje zateshe me departamentin e kinkalerive, në të cilin mbaj mend që shkoja shpesh për të blerë furçë e pastë dhëmbësh, bojë shkrimi, lapsa, fletore, e më vonë brisqe. Nuk di pse, por dora jonë harxhonte orë të tëra me bërrylat e mbështetur në banakët e këtij departamenti. Ndoshta e bënim këtë, ngaqë nga ai pozicion e me shikimin nga dera, ne mund të kontrollonim hyrjen, me shpresën se nga çasti në çast mund të fanepsej tek dera ndonjë vajzë që na pëlqente. Ata banakë ishin rruga jonë e Dibrës, ku vrisnin kohën djemtë e ngeshëm e snobë të “Dimrit të madh” të Kadaresë nga fundi i viteve ‘950....Departamenti i dytë ishte i metrazheve, me fjalë të tjera i copave, basmave, fanellatave, doqeve, teritaleve, etj. Mbi banak ishte gjithë kohën një shufër metalike me gjatësi një metër linear, të cilin shitësja e shtinte në punë për të matur mallin që shiste. Kur më duhej të blija dok apo terital për pantallona, ime’më më porosiste gjithmonë të merrja një metër e dhjetë centimetra. Ne kishim një makinë qepëse në shtëpi, dhe pantallonat e mbathjet i qepnim aty. Grindesha vazhdimisht me time’më, pasi unë ngulja këmbë që këmbëzat e pantallonave të ishin të gjera në fund. “I dua tridhjetë e tre centimetra”, i thosha. “Në asnjë mënyrë”, më bënte rezistencë ajo. “Ti kërkon t’na turpërosh. Njëzetë e tetë, dhe i ke shumë.” Dhe kërkonim të arrinim një marrëveshje. Ato kanë qenë negociatat e para në jetën time. Në fund, tërhiqeshim të dy, dhe binim më në fund dakord për një zgjidhje të mesme. I bënte tridhjetë centimetra të gjera; dy cm më shumë se sa standarti komunist e tre cm më të ngushta se sa i kërkoja unë. Kur vinte puna te këmishët, ime’më ngrinte duart përpjetë. Nuk dinte t’i qepte. “Bli copën”, më thoshte, “e qepi ku të duash!” Rrobaqepësia komunale parapëlqehej nga të gjithë ata që ishin bartës të moralit mainstream, ndërsa të tjerët, gjimnazistët e vitit të tretë e të katërt, dhe një grusht sqimatarësh e snobësh, që tregoheshin me gisht në qytet, e mbanin frymën te Leni, e cila banonte në një shtëpi të veçuar përdhese, në anën tjetër të lumit. Leni qepte pantallona me xhepa pllakë, me shtratin e shkurtër me zinxhir, e të gjera në fund, që ne i quanim coëboy, këmisha të ngjeshura pas trupit, me jakë të ngrirë e me spaleta, xhaketa me dy të çara nga prapa, e kostume të modës. Nomenklatura lokale e dinte që Leni qepte e që ne shkonim te Leni, por nuk bënte zë. Në departamentin e këpucëve nuk gjenim gjë prej gjëje. Kur ishim të vegjël, blinim këpucë të lehta sportive, që ne i quanim atlete. Kushtonin 33 lekë te reja. Ishin të punuara pa shije e shkel e shko, por ne i merrnim prapëseprapë, pasi nuk kishim zgjidhje tjetër. Veç me to mund të luanim futboll e basketboll. Ndërsa këpucët as që viheshin në këmbë. I prodhonin në Gjirokastër, e nuk di pse i bënin me cilësi aq të dobët. Sikur të mos mjaftonte kjo, me modelet e zgjedhura dukej sikur i ishte shpallur luftë estetikës. Të vrisnin syrin. Ne nuk është se kishim parë e mbathur këpucë më të mira, por ato dukeshin që ishin për faqe të zezë. Për këtë arsye, të shumtën e herëve ne shkonim tek dyqanet që bënin këpucë me porosi. Në fakt, më shumë se sa dyqane, ishin pika të riparimit të këpucëve. Ti shkoje për të bërë porosinë, dhe njëri prej zejtarëve që punonte për llogari të shtetit, pasi të kërkonte llojin e preferuar të këpucës, ngjyrën e preferuar të lëkurës, të merrte masën e këmbës, dhe të linte ditën, kur duhej të paraqiteshe për t’i marrë. Në këtë mënyrë bëra këpucët e dasmës sime në vitin 1988. Kur shkova t’i merrja, mbeta pa mend. I vija këpucët njëra mbi tjetrën, dhe nuk më puqeshin: njëra ishte pak më e madhe se tjetra. Ishte e shtunë. Të nesërmen duhej të shkoja me krushqit për të marrë nusen. Nuk kisha nga t’ia mbaja. Me ato këpucë u bëra dhëndër.Në banakun e fundit, në cepin tjetër të mapo-s, shiteshin enë kuzhine. Ditëve të zakonshme aty nuk gjeje këmbë njeriu, por me të dalë fjala në qytet se kishin ardhur mallra kineze, bëhej nami. Mbahej radhë gjithë natën për të blerë komplete gotash, pjatash, filxhanësh. “Po pse bëjnë si të çmendur?”, pyesja unë time më. “Pse nuk marrin nga gotat, pjatat e filxhanët e tjerë, që rrinë në vitrinë?” “Duan diçka ndryshe në shtëpi. Ato gota, pjata e filxhanë, për të cilët flet ti, janë prodhim shqiptar. Janë modele që të hapin barku, e sikur të mos mjaftojë kjo, i gjen në çdo shtëpi.” Televizori Ka qenë viti 1973, kur prindërit na sollën në shtëpi televizorin. Ishte i markës “Adriatik”, i prodhuar në qytetin bregdetar të Durrësit, i cili ishte një si Silicon Valley i Shqipërisë së atyre kohëve. Një fabrikë modeste e prodhimit të pajisjeve elektronike (kryesisht radio e televizorë) ishte përgjigja që Shqipëria autarkike u jepte zhvillimeve të elektronikës në botën e madhe e të hapur. Dy, tre shokë të mi se ku kishin dëgjuar, se “Iliria” e “Lura” ishin marka më të mira, dhe, si për t’ma prishur qejfin, ma thanë dhe mua. Për t’më bindur, më përmendnin sekretarin lokal të Partisë së Punës, dhe nënkryetarin e Komitetit Ekzekutiv, të cilët banonin në të njëjtin pallat me ne. “Ata që të dy kanë Iliria”, më thoshin. Por nuk kish asgjë që të ma lëndonte sadopak gëzimin që ndjeja atë ditë. Jo më kot e kam ende të fiksuar datën: 1 shtator...Atë mot numëroheshin me gishtat e dorës familjet që kishin televizor në qytetin e çorovodës. Mbaj mend që, për ta blerë televizorin, ime’më hyri për nja gjashtë muaj në një, kështu e quanin, “lotari”, e cila nuk ishte gjë tjetër, veçse një imitim i kredisë bankare me interes zero. Me fjalë të tjera, bëheshin tok dhjetë a njëzet vetë që punonin në të njëjtën ndërmarrje, dhe binin dakord që të bashkonin rrogat e tyre mujore për t’ia dhënë vetëm njërit prej tyre, sipas një grafiku të përpiluar mbi bazën e nevojave të nyjëtuara qartë qysh në fillim të marrëveshjes kamerateske. Të tjerët duhet të prisnin radhën e tyre, e deri atëherë ata nuk kishin se ç’të çonin në shtëpi, gjë që përbënte një arsye për ta shtrënguar fort rripin. Por kjo nuk ishte problem, pasi në të tilla rrethana familja demonstronte një solidaritet të hatashëm. Kish raste kur secili linte vetëm një pjesë të rrogës, gjë që e bënte lotarinë pakëz më të ngatërruar e më të shtrirë në kohë. Kështu, një lotari mund të zgjaste dhe tre vjet, dhe merrej vesh që në harkun e kësaj kohe, po t’u kërkoje prindërve një plaçkë të re (do ndodhte pashmangshmërisht kjo gjë), do të merrje përgjigjen: Je në vete? Harrove që jemi me lotari?Kur televizori nuk punonte, prindërit nuk prisnin gjatë, megjithatë, dhe lajmëronin një nga teknikët e riparimit të televizorit...Unë isha në gjendje ankthi deri në çastin që e shihja teknikun të mblidhte rraqet me fytyrën të kënaqur për punën që kishte bërë. Por erdhi një kohë që, n’daç prej vjetrimit, n’daç prej ndërhyrjeve të shumta, televizori ynë filloi të bënte naze të shpeshta e të na plaste buzën. Vitet e fundit mbaj mend që e kishim gjithmonë me të njëjtin defekt, të cilin askush nuk mundi ta riparonte: figura lëvizte vertikalisht e dridhej horizontalisht. Thjesht duhej të prisnim nja gjysmë ore, e pas këtij intervali figura stabilizohej vetvetiu. Herë të tjera situata bëhej më trillane. Figura lëvizte veç kur pamjet televizive ishin të errëta, e më të ardhur radha e pamjeve më të ndriçuara, figura rifitonte qëndrueshmëri. Vazhdoi disa vjet kjo punë, dhe duhet të jetë kjo periudhë kur unë kam filluar të bëhem supersticioz apo të kem asosacione disi abnormale: televizorin e shtëpisë sime e përfytyroja si trurin e një njeriu plot xanxa. Sapo e ndizja, lutesha që xanxat të mos i zgjasnin shumë. Diktatori i “shpenguar”Enver Hoxha nuk e tepronte me daljet në publik, dhe nuk e tepronte gjithashtu – kjo më ka befasuar gjithmonë – edhe kur dilte. Ishte i kursyer në gjeste e në fjalë, e përsa i takon ngërdheshjeve, shprehjeve të fytyrës, look-ut e gjuhës së trupit kishte një vetëkontroll të hatashëm. Nuk merrte poza, dhe kjo ishte aq e dukshme, sa unë mendoja se vetë kjo ishte një pozë. Për habinë e të gjithëve, vitet e fundit të jetës u bë më vanitoz, e arriti deri atje sa zuri të mbante flokë të gjatë, gjë që nuk ia kish lejuar asnjë shqiptari tjetër për 40 vite me radhë.Në të njëjtën kohë me flokët e gjatë, ose ndoshta vetëm pak më përpara, e mbaj mend t’i ketë lejuar vetes një sjellje më të shkujdesur se sa zakonisht në tribunën e një parade me rastin e 1 Majit. Rëndom, ai përshëndeste në mënyrë shumë formale turmën që parakalonte poshtë. E shumta bënte ndonjë buzëqeshje, hiqte borsalinën, të cilën e tundte me njërën nga duart në drejtim të manifestuesve, e shkëmbente mendime mbi atë që shihte me Mehmet Shehun (të cilin më pas e shtrëngoi të vriste veten, ndërsa anëtarët e familjes së tij i dënoi me vdekje apo i degdisi burgjeve). Në atë 1 maj pra ai iu dorëzua për herë të parë ngasjes për të lodruar në tribunë e për t’u shkrirë në stilin e presidentëve amerikanë me turmën entuziaste. Fytyra – një dreq e di se pse – i kish marrë një shtendosje, që ai s’ia kish lejuar vetes asnjëherë. Kur i ra në duar një tufë me karafila të kuq, të cilat ia kishin sjellë një grup të rinjsh nga diaspora kosovare, ai i merrte një e nga një ato karafila dhe në përpjekje për t’i hedhur poshtë në drejtim të njerëzve bënte gjeste kinse të mundimshme, dmth. përkulej pak prapa me dorën e djathtë të hapur e të shtrirë, bënte sikur merrte hov me atë dorë, në të cilën mbante karafilin, dhe e çonte ngadalë përpara si në një film me sekuenca të ngadalësuara, derisa në çastin e fundit lëshonte karafilin duke simuluar një vitalitet e gjallëri që në të vërtetë s’i kish demonstruar faqe botës as në të ritë e vet. Kameramanët e televizionit shqiptar i bënin sytë katër për ta kapur në detajet më të imta këtë “mise en scène” të papërsëritshme, pasi në lajmet e mbrëmjes e në ritransmetimin e të njëjtit manifestim mund të qëllonte që diktatori të mos gjente një gjest të kërkuar e të studiuar me kujdes nga ana e tij. E pastaj, “gjej vend, e futu!”Vdekja e diktatorit Mëngjesin e 11 prillit të vitit 1985, kur morëm vesh se “Dulla” vdiq, profesor Emili qëlloi të ishte në klasën time. Hyri për të dhënë leksion, dhe aty mori vesh ç’kishte ngjarë. Syve pyetës të tij iu përgjigj Armand Bebeziqi, i cili u çua nga bankat e fundit, ku rrinte bashkë me pesë djem të tjerë (mes të cilëve dhe unë), iu afrua profesorit me gojën tek veshi, dhe i pëshpëriti me një konfidencialitet, që në ato çaste ishte krejt e udhës të merrej për provokim: ka vdekur diktatori, sir. Profesori kafshoi instiktivisht buzën e poshtme. U gjet i papërgatitur për të dëgjuar një lajm të tillë. Doli jashtë, dhe u kthye pas pak me maskën e dhembjes në fytyrë. Nuk e fshihte se donte të na shihte me pamje të pikëlluar atje në bankat e fundit të klasës, teksa në bankat e para kishin plasur të qarat e disa vajzave. Kur një komunist i rëndësishëm i dërguar nga organizata-bazë e fakultetit hyri në klasë e zuri të na fliste me tone melodramatike mbi ngjarjen, profesor Emili bënte çmos të bëhej njësh me mjedisin e përzishëm. Ne të bankave të fundit e pikasnim këtë mundim të tijin, dhe na vinte për të qeshur. Ai hidhte sytë nga ne, tmerrohej nga pamja e shtendosur e portreteve tona, dhe me gjuhën e muskujve të fytyrës së vet përpiqej të na thoshte: “Ju përgjërohem, bëhuni pakëz shtinjakë! Bëni sikur ju bëjnë pak përshtypje këta njerëz që qajnë, ta hajë dreqi!”Me teser partieSi shumë njerëz të kësaj bote, në jetën time kam bërë do gjëra, të cilat do doja të mos i merrte vesh askush. Ndonjëra sot ka për të mbetur, me siguri, e pazbuluar. Ndonjë gjë tjetër ka për t’u marrë vesh në një mënyrë a në një tjetër. Ndërsa njërën, më të rëndën, po ua them vetë. Ka kohë që ndërdyshem “ta bëj, mos ta bëj”, dhe më ka penguar sindroma e Gunter Grass-it, të cilit iu deshën më shumë se 60 vjet për të pranuar se ka qenë një ushtar SS. Por tani është ora e rrëfimit. Viti i përmbysjes së komunizmit mua më gjeti kandidat të partisë së punës. Më pranuan, nëse s’gaboj, në vitin 1988. Me kërkesën time, të cilën e kam bërë zemërthyer në shtëpinë e prindërve. Kish nja dy vjet, që drejtori i Telekomit, një komunist i hershëm e i devotshëm, nuk linte rast pa më cytur. Por unë i bëja dribbling me fraza të llojit “nuk jam për këto punë”, “nuk jam gati”, “nuk e duroj dot idenë e stazhit trevjeçar në prodhim”, etj, etj. Në fakt, nuk doja. “Po pse?”, më pyeti ime’më. “Sepse unë nuk jam komunist”, i thashë. “Ka shumë që s’janë komunistë, e prapëseprapë bëhen”, ia bëri ajo. “Puna është që unë jam kundër këtij regjimi”, ia preva më shkurt. Ime’më më pa ngulazi, sikur donte të thoshte: “Mos vallë ke ndërmend t’na çmendësh ti?” Kam frikë se nuk më besoi.Të gjithë më thoshin të njëjtat fjalë, por unë vijoja t’i bëja bisht drejtorit, derisa erdhi një çast, që ky i fundit më thirri në zyrë e më tha: “Po më kërkojnë shpjegim edhe nga komiteti i partisë. Si është kjo puna jote? Nuk ka ndodhur ndonjëherë që dikush t’i bëjë naze lutjes së partisë.” Dhe më hodhi një vështrim, me të cilin gati më nduku. Nuk dija ç’t’i thosha, a thua se gjuhën e kisha të prerë, ndërkohë që ai priste një shpjegim. Aty për aty i thashë: “Ok, më jep formularët e pranimit në parti. Veç një gjë po ta bëj të qartë qysh tani. Nëse më kërkohet të bëj stazh partie në prodhim, atëherë unë deklaroj se nuk kam interes të bëhem anëtar i partisë. Unë në radhë të parë jam inxhinier, e nuk jam i gatshëm që të bëj asnjë ditë një punë tjetër.” “Po ca muaj stazh do t’i bësh ti”, kërkoi të më kandiste ai. “Jo, nuk pranoj të bëj asnjë ditë stazh. Kjo s’është e negociueshme”, ngula këmbë unë, dhe më vinte mirë që kisha gjetur një degë ku të kapesha. Por drejtori ma këputi degën tak-fak: “Mirë, këtë punë ma lër mua në dorë. është e vështirë, por do ta zgjidh.” E dija që do ta zgjidhte, pasi atij i shkonte fjala. Dhe kështu, e pashë veten me formularët e pranimit në partinë e punës. Puna e parë që bëra, mora në telefon Maksin, dhe zura t’i shpjegoja situatën. “Bëhu, boll na çave trapin!”, më tha duke lëshuar gojën si gjithmonë. “Më i mençur se Ismail Kadare je ti?” Këtë pyetjen e fundit ma bënte çdo herë që hapej kjo bisedë. Dhe çdo herë isha unë që, duke huazuar fjalorin e tij, i thosha: Mjaft na çave trapin me Ismail Kadarenë! Atë natë nuk ia thashë këtë frazë. Të nesërmen i çova formularët të plotësuar, ndërsa ca ditë më vonë u mblodh organizata-bazë për të më pranuar si kandidat partie.