Top Media “kërcënon” Pango: Dëmshpërblimi është dyfish
Kompania “Top Media”, dje, ka “kërcënuar” ministrin e kulturës Ylli Pangon se duhet t’i dëmshpërblejë dyfish nëse i detyron të dalin nga mjediset e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës. Kështu “Top Media” i përgjigjet negativisht letrës së ministrit të kulturës, Ylli Pangos, në lidhje me lirimin e mjediseve të Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, drejtuar publikisht disa ditë më parë.
Në letër thuhet se janë katër kompani të Top Medias, që kanë kontrata të rregullta qiraje, konform ligjeve, të cilat edhe sot janë në fuqi.
Kështu, shoqëritë “Top Channel”, “Top Albania”, “Video Grapihc Agency, sh.p.k dhe “DigitAlb” sh.a në vitet 2000, 2001, 2003 dhe 2005 kanë lidhur me Ministrinë e Ekonomisë Publike dhe Privatizimin (sot Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës) dhe me Ministrinë e Kulturës, kontrata qiraje me afate nga 5-20 vjet për mjediset që ndodhen në QNK.
Në letër kompanitë mediatike përmendin faktin se me daljen e vendimit të KM, në vitin 2006, Ministria e Kulturës dhe Ministria e Ekonomisë, kishin detyrim që në rast zgjidhjeje të parakohshme dhe në mënyrë të njëanshme të këtyre kontratave të merrnin masa për së paku sistemimin e këtyre kompanive në mjedise të tjera me qira, dhe zhdëmtimin e këtij transferimi.
Në bazë të llogaritjeve, Top Media tregon në letrën e saj se, shuma që duhet t’i dëmshpërblejë Ministria e Kulturës është dyfish nga ç’kushton rikonstruksioni i Piramidës. Njëkohësisht, përmes letrës “Top Media” lajmëron se vendimi i njëanshëm i prishjes së kontratës rrezikon aktivitetin e këtyre shoqërive deri në falimentim. Në letrën që Pango u ka drejtuar këtyre kompanive mediatike, disa ditë më parë nuk është shënuar konkretisht, se cilat do të jenë lehtësirat që do t’u krijojë, por nga ana tjetër, ministri i Kulturës ka kohë që ka njoftuar rikonstruksionin e Piramidës. Ndërsa kontratat që Top Media ka lidhur me shtetin janë kryer në kohën kur në pushtet ishte PS-ja.