Në tre muaj janë bërë 2970 papteste dhe kolposkopi
Projekti për kryerjen e paptesteve dhe kolposkopive, i zbatuar në kuadër të programit INTERREG III, ka një ecuri të mirë, konsideron Ministria e Shëndetësisë. Projekti ka 3 muaj që ka filluar, ndërsa deri tani janë kryer 2970 ekzaminime në 4 qendra në vend.
Këto ekzaminime aktualisht kryhen falas, në kuadër të programit INTERREG III, i financuar nga Komuniteti Evropian, nëpërmjet rajonit të Pulias (Itali).
Për sa i përket kryerjes së paptestit dhe kolposkopisë, MSH-ja, ashtu sikurse për mamografinë, ngulmon tek informimi i grave, pasi janë pjesë të ekzaminimeve të tumoreve të sferës gjenitale femërore.
Drejtori i përgjithshëm në MSH, Bardh Spahia, tha se “ky projekt po ecën me ritme të mira dhe po rezulton i suksesshëm, edhe pse filloi pak më vonë se projekti për depistimin e kancerit të gjirit”. Sipas tij, këto ekzaminime (paptesti dhe kolposkopia), prej 3 muajsh kryhen në 4 qendra në vend, në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Fier.
Zoti Spahia tha se “deri tani në Durrës janë zhvilluar rreth 600 ekzaminime, në Fier 310 ekzaminime, në Shkodër 700 ekzaminime dhe në Tiranë 1360 ekzaminime”. “Po punohet shumë për informimin e grave, sensibilizimin e tyre në kuadër të këtyre ekzaminimeve të rëndësishme, në kuadrin e prevencionit të kancerit të qafës së mitrës kryesisht, por dhe të sëmundjeve të tjera në aparatin gjenital femëror”, - tha zoti Spahia.