E Diel, 1 Nëntor 2026

Mamografia, në tetor ekzaminimi kushton 18 mijë lekë

INTERREG III përfundon në muajin tetor

Sëmundja dhe mjekimet e mundshme

Duke nisur nga muaji tetor ekzaminimi me anë të mamografisë kushton 18 mijë lekë të vjetra. Pas përfundimit të projektit INTERREG III, ky shërbim do të kalojë me pagesë. Deri tani të gjitha vajzat dhe gratë e vendit këtë shërbim e kanë përfituar falas. Ministria e Shëndetësisë ka ngritur një grup i cili po përllogarit kostot e ekzaminimeve dhe mendohet të mbajë vlerën e 18 mijë lekëve të vjetra.

Ekzaminimet

Për një vit ekzaminimet e mamografisë kanë qenë falas. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, nëpërmjet programit INTERREG III janë bërë rreth 11 mijë ekzaminime mamografike, në 4 qendrat mamografike të shpërndara në vend, nga 10 mijë që ishte vetë objektivi i programit.

Ministria e Shëndetësisë cilëson se nga 11 mijë ekzaminimet vihet re një përqindje relativisht në normat e vendeve perëndimore, pasi për rreth 2.4-2.5 për qind të ekzaminimeve kanë dalë me përgjigje pozitive. Ndërkohë, mjekët këshillojnë që çdo femër mbi 20 vjeç duhet me patjetër të bëjë ekzaminimet për të zbuluar apo edhe parandaluar këtë sëmundje.

Statistika të OBSH-së tregojnë se kanceri i gjirit është i dyti, pas kancerit në mushkëri, që prek më shumë gratë. Para moshës 30 vjeç, probabiliteti për t'u prekur nga sëmundja është 1 në 2.200. Në moshën 30-40 vjeç gjasat janë 1 në 235, kurse mbi 60 vjeç rriten në 1 në 23 gra. Ndërkohë që mjekët onkologë tregojnë se ka tre mënyra për të zbuluar kancerin në gji. Një është mamografia, që e zbulon kancerin 2 vjet para se të bëhet i dukshëm. Mënyra e dytë është vizita e rregullt te mjeku, dhe e treta nëpërmjet kontrollit të vetes, i lehtë për t'u kryer sipas rekomandimeve.

Sëmundja

Kanceri i gjirit karakterizohet nga një periudhë e heshtur. Që ai të bëhet i kapshëm klinikisht duhet të arrijë madhësinë së paku 1cm, që korrespondon 7-9 vjet. Kanceri i gjirit nuk është një sëmundje lokorigionale, që metastazën (përhapjen) e ka vonë, por një sëmundje sistemike që në diagnostikimin e parë. Përhapja e metastazave bëhet me anë të gjakut dhe të limfës. Në fillim përhapet në zonat fqinje, në lëkurë, mbi muskuj dhe në paretin torakal (kraharor), më pas në metastaza të largëta, më shpesh në mushkëri, kocka, mëlçi.

Mjekimi

Mjekimi i kancerit të gjirit mund të bëhet me anë të kirurgjisë, rrezatimit dhe mjekimit me ilaçe. Të sëmurat e trajtuara për kancerin e gjirit rrezikojnë të zhvillojnë përsëritje lokale, piku i të cilave ndodh në tre vjetët e para pas trajtimit. Përhapje të sëmundjes mund të ndodhin edhe shumë vjet pas trajtimit të parë. Prandaj, duhet të ndiqen për një kohë të gjatë dhe me kontrolle të vazhdueshme. Nga ana tjetër, ato rrezikojnë të zhvillojnë kancer parësor të gjirit tjetër, prandaj duhet t’i nënshtrohen ekzaminimit të vazhdueshëm fizik e mamografi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›