E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prefektura i kërkon ndihmë ushtrisë për rrugën e Vërtopit

Berat

Rruga e shembur që lidh disa fshatra të Komunës Vërtop në Rrethin e Beratit nuk mund të rindërtohet. Konstatimin e kanë dhënë specialistë të prefekturës që kanë inspektuar nga afër ditët e fundit shembjen prej rreth 200 metra linearë. Prefekti i Qarkut të Beratit, Konstandin Lefta, bëri me dije se rruga që lidh fshatrat e Komunës Vërtop me qendrën e kësaj komune tashmë mund të konsiderohet jashtë funksionit. Rrëshqitja e tokës e bën të pamundur ndërhyrjen. Në këto kushte prefektura i është drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Mbrojtjes që me anë të forcave të ushtrisë të ndërhyhet për devijimin e këtij segmenti në një terren të qëndrueshëm. Por punimet përveçse se do të kërkojnë fonde të mëdha, kërkojnë edhe fuqi punëtore, pasi terreni ku do të shtrihet rruga është tejet i vështirë. Lefta thotë se Ministria e Mbrojtjes ka premtuar dërgimin e forcave të xhenios që rruga të hapet shumë shpejt, me qëllim që të dalë nga izolimi fshati Kapinovë, që është krejtësisht i bllokuar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›