Kukes e diela e fundit e vitit rrit cmimet ne tregun fshatar
E diela e fundit e vitit ka shënuar rritjen e çmimeve të disa produkteve, kryesisht të mishit si dhe të perimeve, në tregun e madh të Kukësit. Ky i fundit ka shërbyer dje edhe për furnizimin e tregjeve të qyteteve të tjerë si Tirana, Durrësi etj., ku janë ngarkuar disa kamionë me bagëti të gjalla, kryesisht viça. Megjithatë, siç tregojnë vetë blerësit, çmimi i mishit nuk kanë pësuar rritje shumë të ndjeshme, në krahasim me produktet e tjera ushqimore. Kështu një kilogram mish përpara disa ditësh kushtonte 650 lekë, ndërsa dje tregtohej me 750 lekë, një kilogram mish i grirë ka kushtuar 800 lekë, ndërsa dje kushtonte 900 lekë. Edhe bagëtitë e gjalla kanë shënuar rritje të lehtë që shkon deri në 8% që për blerësit e shumicës. Shpendët kanë qenë nga artikujt më të kërkuar për festat e fundvitit, kryesisht të Vitit të Ri. Duke qenë e diela e fundit e pazarit për vitin 2010, edhe shpendët kanë zënë peshë specifike në krejt tregun fshatar ku bie në sy pula e detit dhe fazanët. Një pulë deti normale është shitur dje mesatarisht me 6 mijë lekë, ndërsa një fazan me 1 mijë lekë.
PerimetPerimet nuk i kanë shpëtuar rritjes së çmimit edhe të dielën e fundit të vitit. Duke përllogaritur rritjen gjatë muajit të fundit, mund të themi që dita e djeshme shënon dyfishimin e çmimit për disa perime. Dje 1 kilogram domate ka kushtuar 200 lekë, nga 100 që kushtonte pak më shumë se një muaj më parë. Me 10 lekë për kilogram janë rritur gati të gjithë artikujt e fshatit dje, duke shënuar kështu rritjen e dytë të çmimit brenda një muaji. Djathi i deles është rritur me 15%, djathi i dhisë me 14%, gjiza me 10%, vezët me 10% etj. Sakaq edhe perimet si speci, lakrat, preshi dhe qepa, si dhe frutat e importit kanë pësuar rritje prej rreth 20%. Në tregun masiv këto ditë është vërejtur edhe një rritje e çmimit të duhanit me 15 deri në 20%. Ndërkaq autoritetet tatimore lokale kanë paralajmëruar se do të ndëshkojnë ashpër tregtarët për çdo rritje artificiale të çmimeve si një spekulim me konsumatorët, por ende nuk është marrë asnjë masë konkrete në këtë drejtim.