Rritet cmimi i bukes fieraket nisin gatimin ne shtepi
Rritja e çmimit të bukës ka sjellë reagimin e konsumatorëve fierakë. Nga një vëzhgim i ditëve të fundit ka rezultuar se në pikat e tregtimit të bukës ka rënë ndjeshëm shitja e këtij produkti. “Ditën e parë kur u aplikua çmimi i shtrenjtë nuk pati ulje të fuqisë blerëse, kurse dy ditët e fundit pothuaj është përgjysmuar. Ka pasur reagim të ashpër nga blerësit konsumatorë”, ka thënë Ajeti, tregtar buke, pranë vendit të njohur Sharra në Fier. Ndërkohë Eglantina, një tjetër tregtare, thotë se do ta shkëpusë shërbimin e shitjes së bukës nga dyqani i saj, pasi nuk e blejnë më. “Unë kam dyqan brenda bllokut të pallateve dhe fuqinë blerëse nuk e kam shumë të madhe. Aq më shumë që tani u rrit çmimi, nuk vjen askush nga banorët e lagjes. Çmimi është shkaku kryesor. Këtu në lagjen tonë njerëzit kanë nisur ta gatuajnë dhe pjekin në kushtet e shtëpisë”, ka thënë Eglantina. Gati të gjithë tregtarët e Fierit dhe dhjetëra banorë pranojnë e këtë fakt. Të pyetur nga gazeta, rastësisht në rrugët e qytetit, pjesa më e madhe e banorëve kanë thënë se po e mendojnë seriozisht prodhimin e bukës në kushtet e shtëpisë. “Jemi në atmosferë festash, por menjëherë në janar nuk do ta blej bukën, por do ta bëj në shtëpi. Me bukën e bërë kaloj tri ditë, ndërsa kostoja më vete sa gjysma e asaj që e blej”, ka thënë Valentina Driza, banore e lagjes “11 Janari”. Banorët ankohen se rritja e çmimit në 120 lekë është e padrejtë dhe se prodhuesit e bukës po abuzojnë me çmimin e miellit. Në Fier, çmimi i miellit është ai i dy muajve më parë, 50 lekë për kg. Në atë kohë u kërcënua se çmimi do të shkonte në 62 lekë, por nuk është vendosur ende. E ndryshe nga kërcënimi për rritjen e shtrenjtimit të miellit, çmimi i bukës, në mënyrë të papritur pëson rritje. E kjo sipas tregtarëve vjen si shkak i shumë faktorëve, ku më kryesorët janë mielli dhe energjia. E ndërsa shtrenjtimi i bukës është bërë fakt, konsumatorët në njëfarë mënyrë kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Javën e ardhshme pritet të ketë protesta për shtrenjtimin e çmimit të bukës, si dhe pritet ndërhyrja e autoriteteve shtetërore, me qëllim frenimin e prodhuesve dhe tregtarëve abuzivë.