Kerkoheshin nga drejtesia ndalohen ne port
Gjatë përpunimit të fluksit të udhëtarëve në kufi janë identifikuar e kapur edhe persona në kërkim ndërkombëtar. Njëri prej tyre udhëtonte dhe me një pistoletë në automjet, armë e cila kishte kaluar pa probleme në pikën kufitare italiane. Katër personat e ndaluar, tre shtetas kosovarë dhe një shqiptar, u identifikuan dhe u kapën teksa po hynin në territorin shqiptar për të kaluar festat e fundvitit pranë familjeve. Ndër të kapurit janë dhe dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Kosova për vrasje dhe shteti zviceran për emigracion ilegal. Shiqeri Idrizi, 25 vjeç, me banim në Kosovë, u ndalua për t’iu dorëzuar autoriteteve policore kosovare dhe gjatë kontrollit të automjetit me të cilin 25-vjeçari lëvizte iu gjet e sekuestrua edhe një armë zjarri e tipit pistoletë “Parabel”, të cilën e mbante pa leje. Masës së ndalimit iu nënshtrua dhe shtetasi kosovar, Mendu Bakija, 40 vjeç, pasi rezultoi i shpallur në kërkim ndërkombëtar që në korrik të vitit 2009 nga shteti zviceran për veprën penale të emigracionit ilegal. Në orën 02:00 të së dielës u bë dhe ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës i korrikut të këtij viti për shtetasin Destan Jupa, 43 vjeç, me banim në Kosovë. Jupa është dënuar me 1 vit e 2 muaj burg për veprën penale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. Ndërkaq, në portin e Durrësit u ndalua dhe Armand Rraja, 37 vjeç, me banim në Tiranë, i dënuar me 1 vit burg për veprën penale të mashtrimit.