E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat luanin me shashka plagosen dy femije

Tregtimi i lëndëve plasëse, ende i pakontrolluar nga autoritetet

Atmosfera e festave të fundvitit ka rikthyer incidentet nga shashkat dhe fishekzjarrët në qytetin e Beratit. Mëngjesin e djeshëm, dy fëmijë janë lënduar nga përdorimi i shashkave pa kujdes, ndërkohë që askush nuk ka marrë masa konkrete për tregtimin e sigurt të lëndëve plasëse.

Burime nga spitali rajonal i Beratit bëjnë të ditur se dy fëmijë, përkatësisht 8 dhe 10 vjeç, janë paraqitur mëngjesin e së dielës për ndihmë mjekësore. Një prej të plagosurve është dërguar në Tiranë, për ndihmë më të specializuar. Burime pranë Repartit të Kirurgjisë në spitalin e këtij qyteti bëjnë me dije se dy fëmijët, të afërm me njëri-tjetrin, janë paraqitur në spital me plagë të rënda djegieje në duar dhe kokë. Mësohet se P. Braho, 10 vjeç dhe kushëriri i tij më i vogël N. Braho, 8 vjeç, banor të lagjes “Çlirim”, ishin lënduar gjatë ndezjes dhe shpërthimit të disa shashkave. Sipas mjekëve të Repartit të Kirurgjisë, fëmijët kanë pasur djegie në duar dhe në kokë, e menjëherë kanë marrë ndihmën e parë shëndetësore. Mësohet se 8-vjeçari ishte djegur në të dyja duart, ndërsa kushëriri i tij, përveç djegies në duar ishte lënduar edhe në kokë. Mjekët u kanë dhënë ndihmën e parë shëndetësore të dy fëmijëve, por duke parë shkallën e dëmtimit, kanë vendosur transportimin e 10-vjeçarit drejt Repartit të Djegieve në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë për ndihmë më të specializuar.

Ndërkohë të afërmit e dy fëmijëve kanë treguar se kishin dalë në mëngjes për të luajtur me bashkëmoshatarët e tjerë. Rreth orës 11:00, prindërit janë lajmëruar se P. Braho dhe N.Braho ishin djegur duke luajtur. Më pas, fëmijët kanë rrëfyer se kishin blerë disa shashka te një shitës ambulant dhe ishin kthyer përpara pallatit. Disa prej lëndëve plasëse i kishin vendosur në një shishe, e më pas i kanë vënë flakën për të realizuar shpërthimin. Por shishja u ka shpërthyer në duar dhe për këtë arsye, fëmija më i vogël, N.Braho është plagosur më rëndë në duar. Ndërkohë që i kushëriri është lënduar në kokë, gjatë kohës kur fëmijët janë përpjekur të hedhin shishen.

Ardhja e festave ka kthyer sërish problemin e zhurmave dhe incidenteve nga përdorimi pa kujdes i lëndëve plasëse. Megjithëse çdo vit, trumbetohet për marrjen e masave për tregtimin dhe përdorimin e tyre vetëm për personat e rritur, realisht nuk është bërë asgjë. Në çdo pikë tregtimi ambulante, fëmijët mund të shkojnë të blejnë shashka dhe fishekzjarrë. Kështu në rrugët e qytetit të Beratit, në çdo orë të ditës mund të dëgjosh “shpërthime” që në mjaft raste përfundojnë me incidente për përdoruesit e vegjël.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›