Liberalizimi i vizave nuk i josh fieraket
Fier
Nuk ka ikje masive të fierakëve drejt Europës dhe veçanërisht drejt vendeve të zonës “Shengen”. Të paktën kështu vjen informacioni nga agjencitë e udhëtimit që operojnë në këtë qytet. Shifrat e të larguarve që nga 15 dhjetori deri për festën e Krishtlindjeve janë shifra normale dhe nuk konsiderohen si “boom” largimesh jashtë vendit. Ndërkohë që destinacioni më i preferuar është Greqia. Në një agjenci turistike, na thonë se mesatarisht çdo ditë nisen drejt shtetit helen rreth 70 persona. “Numri i personave të ikur në Greqi që nga dita e liberalizimit të vizave dhe deri më sot është afro 700. Nuk është ajo ikje siç pretendohej, është pothuaj i njëjti fluks si një vit më parë”, thonë në agjenci.