Durres tre ne pranga per vjedhje
Vjedhjet mbeten një shqetësim qytetar në rrethin bregdetar të Durrësit. Shtëpi, lokale dhe njerëz, teksa ecin në rrugë sulmohen për t’u vjedhur duke krijuar një ndjenjë pasigurie për pronën te ta, familjarët dhe të afërmit e tyre. Ndërkaq, një ditë më parë, gjatë një operacioni të koduar “Weekend”, u arrestua në flagrancë, autori i dyshuar për vjedhjen e banesës dhe njësisë tregtare të një qytetari të Durrësit. Asllan Krashi, 47 vjeç me banim në Durrës, akuzohet se një ditë më parë ka vjedhur në shtëpinë e tregtarit durrsak 1.4 milionë lekë, kurse në dyqanin e tij, ku shiten veshje sportive ,kishte vjedhur mallra si dhe vlerën e 3 mijë eurove. Ndërkaq, natën e Krishtlindjeve u bë i mundur ndalimi i shtetasit Dilaver Dulqea, 24 vjeç me banim në Durrës dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori dhe moshatari i tij me banim në Fushë-Krujë, Gjergj Shkoza. Dy të rinjtë kanë tentuar t’i vjedhin me dhunë lekët, duke i shkaktuar dëmtime në kokë si pasojë e goditjeve me thikë e grushte, një 43-vjeçari, banor i lagjes 15 të qytetit. Ndërkaq, një tjetër i dyshuar për vjedhje është arrestuar në flagrancë në ambientet e portit detar të Durrësit. Muhamed Telha, 44 vjeç është kapur në flagrancë, pasi kishte vjedhur një sasi kavosh bakri të rrufepritëseve, pronë e një firme private që operon brenda territorit portual.