Kukës, kaluan kufirin, policia kosovare prangos 5 persona
KUKES - Pesë banorë të fshatit Borje në komunën e Shishtavecit në Kukës arrestohen nga policia kosovare për kalim ilegal të kufirit. Ata janë detyruar të qëndrojnë 1 javë në burg për këtë veprim, i cili konsiderohet vepër penale nga ana e policisë së Kosovës. Sevahir Dokle, kryetar i fshatit dhe njëherësh anëtar i këshillit të komunës Shishtavec tha se kjo ngjarje ka irrituar shumë banorët e fshatit, të cilët kërkojnë nga autoritetet tona të ndërhyjnë për të krijuar lehtësirat e duhura dhe infrastrukturën e nevojshme që kalimi i kufirit të bëhet normal dhe banorët të mos e pësojnë.
Kur ka ndodhur arrestimi i 5 banorëve?
Të hënën, patrulla e policisë lokale e Dragashit ka arrestuar pesë banorë të fshatit tonë, në fshatin fqinj të Kosovës, në Glloboqicë. Fëmijët që ishin me ta janë lënë të lirë, ndërkohë që bashkëfshatarët tanë janë dërguar në stacionin policor të Krushevës dhe më pas në burgun e Prizrenit.
Përse kishin shkuar atje?
Ne vazhdimisht nevojat për furnizim me bukë e ushqime, ato shëndetësore dhe punësimin, që pas çlirimit i zhvillojmë me fshatrat fqinj të Gorës që janë në Kosovë. Ne jemi fshat që izolohemi nga dimri dhe rruga e keqe dhe për 6 muaj i këpusim lidhjet me Kukësin. I vetmi shpëtim mbetet kalimi i kufirit dhe shkuarja në Kosovë që është shumë afër. Madje, në shumë urgjenca na kanë ndihmuar ushtarët e KFOR-it dhe me helikopterë. Banorët që u burgosën dje kishin shkuar për të blerë miell dhe farë patatesh, mes tyre kanë arrestuar dhe një mësues të fshatit.
Pse nuk kaloni kufirin legalisht?
Pika më e afërt është ajo e Shishtavecit. Duhen orë për të mbërritur atje në këmbë. Ne kemi pasur pikën tonë të kalimit të kufirit që në vitet ‘30-të deri në ’48-ën dhe kemi kaluar kufirin me karta të kalimit të kufirit. Më pas u mbyll kufiri dhe kemi kaluar vetëm pas çlirimit të Kosovës. Andej kemi njerëzit tanë, punën dhe pronat tona, të cilat u ndanë padrejtësisht. Pika jonë, në letër dhe me vendim të qeverisë, në vitin 2003 është legalizuar, por praktikisht nuk është hapur asnjëherë. Kemi dërguar me dhjetëra letra, deri në Presidencë, Qeveri e Parlament, por asgjë nuk është bërë për hapjen e saj, duke i detyruar banorët edhe mes rrezikut të kalojnë matanë ilegalisht. j.h