E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, 450 mijë euro gjobë

 

Trazhgim Sokolaj

Gjykata e Strasburgut gjobit Shqipërinë me 450 mijë euro në përfundim të shqyrtimit të dosjes së pronave të familjes Vrioni, të koduar e titulluar “Vrioni dhe të tjerët kundër Shqipërisë”. Vendimi i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është shpallur më 24 mars 2009 ndërsa ditët e fundit i është bërë me dijeni zyrtarisht palës së ankuar dhe Ministrisë së Jashtme në Tiranë. Ankimi është paraqitur para Gjykatës Evropiane në vitin 2002, ndërsa ky institucion pasi ka shqyrtuar materialin ka vendosur shqyrtimin e tij. Personat që paraqitën ankesën në Strasburg, aktualisht jetojnë në Romë dhe në Tiranë. Objekti i procesit është pronësia mbi një vilë dhe truallin rreth saj, të llogaritur nga matjet si një pronë me sipërfaqe 1377 metra katrorë. Aplikanti në gjyqin e Strasburgut, në vitin 1941 mori një kredi në Bankën e Napolit dhe për sigurimin e saj përdori një hipotekë të truallit dhe vilës në pronësi të tij në Tiranë. Në vitin 1945 e drejta e pronësisë së bankës që kishte dhënë kredinë, u transferua në emër të shtetit përfshi edhe detyrimet e bankës, ku përfshihej kredia e dhënë zotëruesit të pronës. Më 21 prill 1948, Gjykata e Lartë Ushtarake dënoi për krime politike babain e aplikantëve. Ai u dënua me shtatë vjet burg dhe me konfiskimin e gjysmës së pasurisë në emër të tij. Kjo pasuri më parë kishte qenë e depozituar si një hipotekë për kredinë e marrë në Bankën e Napolit. Konfiskimi i gjysmës së pronës është realizuar me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit të Qytetit të Tiranës më 20 korrik 1948. Nëntë vite më vonë, më 1957  zotëruesit e gjysmës së mbetur të pronës, shitën pjesën e tyre. Në vitin 1992 në bazë të Rehabilitimit të Viktimave të Shtypjes Politike ligji nr.7514 datë 30 shtator 1991) u caktua për aplikantët një pjesë e gjysmës së pronës që ishte bllokuar nga shteti. Argumenti ishte se prona u bllokua në mënyrë të paligjshme dhe se aplikantët duhej të kompensoheshin për atë pjesë të pronës. Më pas me një padi civile në Gjykatën e Tiranës aplikuesit kërkuan dhënien e titullit të pronësisë për gjysmën e bllokuar të pronës duke pohuar se ligji i Rehabilitimit të Viktimave të Shtypjes Politike nuk ishte i zbatueshëm për pronat private. U pretendua se e drejta e pronësisë ishte transferuar në emër të shtetit për shkak të dështimit të aplikantëve për të paguar kredinë. Çështja shkoi në Gjykatën e Apelit, e cila kundërshtoi vendimin e dhënies së titullit të pronësisë me argumentin se ai ishte dhënë nga një autoritet jo kompetent. Sipas vendimit të Gjykatës, çështja duhej t’i kalonte Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Në korrik 1995, çështja shkoi në Gjykatën e Lartë në Tiranë ku u shqyrtua nga një Kolegj Civil, i cili vërejti se akti i dhënies së titullit të pronësisë ishte formuluar në 1992, pra një vit para se të krijohej Komisioni. Më vonë në të njëjtën gjykatë, u dorëzua një kërkesë për rishikim vendimi. Kryetari i Gjykatës vlerësoi se gjykimi i 7 korrikut 1995 nuk kishte qenë në bazë të ligjit dhe se vendimi i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronës duhej të zbatohej. Më 22 maj 1996, Gjykata e Lartë prishi vendimin e datës 7 korrik 1995 dhe riktheu rastin në gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë për rishqyrtim në bazë të provave të reja. Shqyrtimi i çështjes filloi nga e para, gjykatat kundërshtuan njëra-tjetrën derisa në vitin 1997 çështja u paraqit nga pretendentët e pronësisë në Gjykatën Kushtetuese. Ata pretenduan se vendimet e mëparshme kishin qenë antikushtetuese. Gjykata Kushtetuese vendosi më 29 tetor 1998 se: Komisioni i Pronave kishte shkelur rregullat mbi juridiksionin, të përcaktuara në nenin 36 të Kodit të Procedurës Civile. Sipas kësaj dispozite, Komisioni është një institucion jo gjyqësor, i pa autorizuar të shqyrtojë këtë mosmarrëveshje civile dhe të miratojë një vendim, për aq kohë sa çështja ishte në pritje para gjykatave. Në këto rrethana, Gjykata Kushtetuese e konsideroi vendimin e Komisionit të Kthimit të pronave të vitit 1996 të pavlefshëm dhe e anuloi atë. Procesi vazhdoi përsëri në gjykatat shqiptare duke kaluar në të gjitha sjkallët derisa në vitin 2002, aplikantët Valeria Vrioni (Benusi), Julian Benusi, Cecili Benusi, Hartina Benusi dhe Klara Benusi paraqitën ankim në Gjykatën e Strasburgut. Kjo e fundit ka gjetur shkelje të Konventës Europiane në procedurat e ndjekura nga Gjykatat e brendshme të Shqipërisë lidhur me pronën e familjes Vrioni.  

Eksperti e vlerësoi pronën e bllokuar 800 mijë euro
Gjykata Evropiane: U shkel Konventa, Qeveria të kompensojë familjen Vrioni

TIRANE – Anëtarët e familjes Vrioni kanë paraqitur në Gjykatën e Strasburgut kërkesën për dëmshpërblim me 1047678 euro, për fitimin e munguar për vitet e heqjes së pronësisë si dhe 450 mijë euro për dëmin që u është shkaktuar. Aplikuesit në Gjykatën e Strasburgut paraqitën një ekspert që kishte bërë vlerësimin e pronës, e cila përbëhet nga shtëpia 244,12 metër katrorë dhe sipërfaqja e ngastrës 400 metra përreth saj. Sipas raportit të ekspertit, prona është vlerësuar në shumën 800 mijë euro dhe humbja nga fitimet e munguara prej vitit 1992 kur është dhënë vendimi i Komisionit të pronave, ka qenë në vlerën 247.678 euro. Gjykata e Strasburgut është shprehur se Qeveria e Shqipërisë është e detyruar në bazë të Konventës t’i japë fund shkeljeve të konstatuara dhe të bëjë riparimin e pasojave të ardhura nga vendimet e padrejta të gjykatave, si dhe nga procedurat e tjera të ndjekura në rastin e pronës së familjes Vrioni. Duke iu referuar Konventës dhe disa vendime të tjera në çështje të ngjashme, Gjykata e Strasburgut është shprehur se aplikantët duhet të dëmshpërblehen në lidhje me gjysmën e pronës së tyre, të bllokuar padrejtësisht gjatë kohës së regjimit komunist. “Gjykata konsideron të arsyeshme për të kompensuar aplikantët për dëmet në raport me gjysmën e pasurisë dhe humbjen e fitimeve”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Strasburgut. Kjo e fundit thekson se anëtarëve të familjes Vrioni duhet t’u jepen në dorë 450 mijë euro ndërsa atyre u janë dorëzuar edhe 20 mijë euro në kesh, lidhur me shpenzimet gjyqësore që janë bërë për dërgimin e çështjes në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. “Gjykata vëren se ka pasur një shkelje të nenit 6 të Konventës, përsa i përket praktikës së Gjykatës së Lartë më 5 shkurt 1998; ka pasur një shkelje të nenit 1 të Protokollit Nr 1 të Konventës”, thuhet më tej në vendimin e dhënë nga Gjykata e Strasburgut. Sipas saj, shuma prej 450 mijë euro në formë kompensimi për dëmin e shkaktuar duhet të paguhet nga Qeveria shqiptare brenda tre muajve nga shpallja e vendimit konvertuar në monedhën kombëtare të vendit përgjegjës.                            tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›