E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia, vret babanë dhe shokun

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Përgjaket një familje në Vlorë. Djali 23-vjeçar vret me breshëri automatike babain dhe shokun e tij. Plumbat nuk kursyen as nënën dhe kushëririn, duke i lënë të plagosur. Sipas policisë, Arjon Lulaj e ka kryer krimin mesnatës e së hënës, në gjendje tejet të alkoolizuar. Një debat i nisur nën avujt e rakisë ka paralajmëruar ngjarjen e rëndë, pasi i riu ka marrë një automatik e me breshëri qëlloi në dhomën ku ndodheshin prindërit dhe miqtë e tij. I ati, 51–vjeçari Musa Lulaj dhe Bledar Xhaferrajn 28 vjeç humbën jetën mënjëherë. Nga plumbat e qëlluar kuturu u plagos nëna e autorit, Sofie Lulaj 45 vjeçe, si dhe djali i dajës së tij, Jovan Lazaj, 27 vjeç, nga fshati Picar i Vlorës. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 të së hënës në lagjen “24 Maji” të qytetit të Vlorës, në vendin e quajtur “Kanali i Motorrit”. Autori dhe viktimat mësohet se kanë qenë në gjendje të dehur, çka dyshohet të jetë edhe motivi i kësaj tragjedie. Nga hetimet paraprake referuar të plagosurve e dëshmitarëve, rezulton se 23-vjeçari Arjon Lulaj, shoku i tij Bledar Xhaferraj dhe djali i dajës, Jovan Lazaj kanë konsumuar alkool gjatë gjithë ditës në fshatin Picar, e më pas në Lubonjë. Ata janë kthyer në banesën e autorit të krimit rreth orës 22:30. Me vështirësi kanë parkuar makinën. Shoku dhe kushëriri i Lulajt i kanë sugjeruar këtij të fundit të shtrihej sa të futej brenda, pasi ishte i dehur. Por duket se kjo e ka nervozuar të riun, i cili ka lënë mjetin të ndezur dhe është larguar disa metra nga banesa. Aty ka marrë automatikun dhe pasi qëlloi njëherë me breshëri përjashta, më pas ka shkuar brenda ku ishin futur viktimat. Pa thënë asnjë fjalë ai hapi zjarr. Ndonëse i ati është munduar ta ndalojë, askush nuk ka qenë në gjendje ta evitojë ngjarjen, pasi nuk e prisnin se do t’i qëllonte. Fillimisht ka vrarë babain dhe plagosur nënën e tij. Më pas kallashi i është drejtuar edhe shokut dhe kushëririt. Pas ngjarjes, ai e ka fshehur armën sërish. “Ti nuk më ke faj mua, ndaj nuk të vrava”. Kështu mësohet se i është drejtuar djali nënës së tij, e cila ishte plagosur në këmbë. Më pas ai është shtrirë në krevat. Policia mbërriti në vend e sinjalizuar nga fqinjët e viktimave, të cilët kishin dëgjuar breshëri jashtë, e më pas sërish ulërima e breshëri brenda banesës. Nga të dhënat e marra nga i plagosuri, i cili kishte mundur të dilte përjashta, policia mësoi se bëhej fjalë për disa viktima. Për këtë shkak ata rrethuan vendin e ngjarjes me forca të specializuara për ndërhyrje, të pajisura me mjete mbrojtëse dhe ndriçuese, pasi zona dhe terreni ishin shumë të vështira. Pas rreth 1 ore është bërë i mundur depërtimi në banesë dhe arrestimi i Arjon Lulajt. “Pse po më merrni, çfarë kam bërë?”. Këto kanë qenë të vetmet fjalë të të riut në momentin e arrestimit. Burime të policisë bënë të ditur se gjatë marrjes në pyetje të nesërmen e ngjarjes, 23-vjeçari nuk mbante mend asgjë që kishte ndodhur. Mbasi i është bërë e ditur se kishte vrarë të atin, shokun si dhe kishte plagosur nënën e djalin e dajës së tij, mësohet se ai ka qarë dhe i binte murit me grushte. “Nuk mbaj mend se çfarë kam bërë dhe se çfarë ka ndodhur”, është shprehur ai. Mësohet se edhe i plagosuri, në momentin e mbërritjes në spital ishte thuajse i pandërgjegjshëm në lidhje me atë që kishte ndodhur për shkak të pijes.

Nëna: Arjoni i sjellshëm,nuk e di çfarë ndodhi

Nuk ndjen plagën e plumbit, por atë të shpirtit pas ngjarjes së ndodhur në shtëpinë e saj. Thotë se iu lut të birit ta vriste dhe atë, por kjo nuk ndodhi. Suzana Lulaj tregon nga spitali çastet e krimit.
Znj.Lulaj, si ndodhi ngjarja dhe si reaguat ju në atë moment?
Askush nga ne nuk pati kohë të reagonte. Sa hyri ai filloi të qëllonte me breshëri. Babai i tij tentoi t’ia merrte armën por nuk mundi. U shtrimë përtokë, por plumbat na zunë të gjithëve. Burri im dhe shoku i djalit gjetën vdekjen e menjëhershme, ndërsa unë dhe djali i vëllait tim ngelëm të plagosur. U tmerrova, bërtita dhe rashë mbi trupin e burrit tim. I thashë djalit se çfarë bëre, por ai vetëm rrinte dhe shikonte i habitur pa folur, ndërsa armën e la na shesh. I thashë të mos më linte gjallë as mua, pasi babain e vrave, shokun e vrave, ne na plagose, por ai përsëri rrinte para nesh i habitur, pa folur.
Po më parë kishit konflikte në familje?
Djali ka bërë kurs për hidraulik, por nuk gjeti punë. Jetojmë me ndihmë ekonomike. Por edhe pse ishim të varfër me djalin kishim marrëdhënie shumë të mira. Ai ishte i urtë dhe i sjellshëm me ne.
Si mendoni ju për shkakun e kësaj tragjedie?
Nuk ka asnjë arsye, ka ndodhur për shkak të pijes. Gjithçka mund ta kishte bërë, por vetëm shokun mos ta kishte vrarë. Atë e kishim shumë afër banesës tonë. Ishte djalë shumë i mirë. Kur Arjoni hyri në banesë ne shtangëm. Askujt nuk ia merrte mendja se mund të qëllonte njerëzit e shtëpisë.
Si ndiheni tani, si do të reagoni me djalin tuaj?
Nuk e dua më jetën, sepse familja ime u shkatërrua. Nuk di se çfarë do të bëj, do t’ia lë kohës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›