E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrihen publikisht dy gjimnaziste

 

Etleva Delia  

Nxënësit e gjimnazit “Ismail Qemali” në Tiranë janë përballur me skena të pazakonta dhune ndërsa dy vajza përfunduan në spital me plagë të rënda, si pasojë e dhunës së ushtruar nga disa moshatarë të tyre. Policia e kryeqytetit tha se autorë të rrahjes së dy vajzave ishin 20-vjeçarët, Kristin Kuqi dhe Gerti Ponavian. Ata u arrestuan nga komisariati nr.1, pak orë pas dhunës së ushtruar mbi nxënëset e gjimnazit “Ismail Qemali”. Sipas burimeve nga policia, disa ditë më parë vajzat 16 dhe 17-vjeçare, njëra në vit të dytë dhe tjera në të tretin, i kishin denoncuar dy djemtë në polici duke i akuzuar ata për ngacmime seksuale. Kjo ka qenë arsyeja që të rinjtë Kuqi dhe Ponavia kanë ushtruar dhunë fizike ndaj dy adoleshenteve, të cilat ndodhen ende në spital nën kujdesin e mjekëve. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, pranë gjimnazit “Ismail Qemali”, në një rrugicë mes shkollës dhe godinës së ATSH-së. Djemtë kanë pritur vajzat sa të mbaronin mësimin dhe duke përfituar nga fakti që polici roje i shkollës, kishte lënë turnin, i kanë sulmuar dy gjimnazistet, të cilat fillimisht i kanë sharë dhe më pas i kanë rrahur. Ndërkohë një fugon policie ka shkuar menjëherë në vendngjarje, por blutë janë përballur në kundërshtimin e dy të rinjve, të cilët i kanë fyer, madje edhe kanë ushtruar dhunë fizike, duke mos pranuar që të hipin në fugonin e grupit të gatshëm.
NGJARJA
Dy ditë më parë gjimnazi “Ismail Qemali” është tronditur nga një ngjarje e paprecedentë. Dy nxënëset e kësaj shkolle, njëra në vitin e dytë dhe tjetra në vitin e tretë, janë rrahur dhe keqtrajtuar në sy të gjithë nxënësve të tjerë dhe mësuesve që sapo kishin përfunduar mësimin. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 13:30, kur adoleshentët sapo kishin përfunduar orën e gjashtë të mësimit dhe ishin nisur për në shtëpi. Sapo kanë kaluar rrethimin e shkollës, në drejtim të godinës së ATSH-së, që ndodhet në bulevardin “Zhan D’ark”, janë përballur me Kristin Kuqin dhe Gerti Ponavian, të cilët disa ditë më parë i kishin denoncuar në Komisariatin Nr.1 për ngacmime seksuale. Burime nga policia thanë se Kuqi kishte një javë që ishte kthyer nga Italia, ku jetonte si emigrant dhe njëra prej vajzave, që tashmë ndodhet në spital, e kishte pasur të dashur. Por gjatë qëndrimit në Tiranë ka marrë vesh që ajo ishte lidhur me një tjetër. Pasi ka marrë vesh historinë, 20-vjeçari bashkë më bashkëmoshatarin e tij Ponavia kanë shkuar çdo ditë te gjimnazi duke i ngacmuar vajzat, të cilat janë detyruar që t’i denoncojnë në polici. Sipas policisë, denoncimi i adoleshentëve dyshohet të jetë edhe shkaku i dhunës që dy të rinjtë kanë ushtruar ndaj tyre. Tashmë dy të rinjve, përveç akuzës për ngacmim seksual, plagosje të rëndë me dashje, iu duhet të përballen edhe me akuzat e kundërshtimit të punonjësve të policisë, kanosje dhe fyerje për shkak të detyrës. Kjo pasi ata kanë kundërshtuar edhe punonjësit e policisë të Komisariatit Nr.1, në momentin që ata kanë qenë duke i arrestuar. 

Adoleshentët në pranga për 6 akuza
TIRANE - Autorët e plagosjes së dy gjimnazisteve të “Ismail Qemalit”, Kristin Kuqi dhe Gerti Ponavia, tashmë ndodhen në qelitë e Komisariatit Nr.1 të Tiranës. Ata akuzohen se kanë rrahur dhe keqtrajtuar dy vajzat gjimnaziste, respektivisht të moshave 17 dhe 16 vjeçe. Në momentin kur dy të rinjtë po ushtronin dhunë fizike ndaj adoleshenteve, ka mbërritur një grup policësh, pas lajmërimit që iu bë sallës operative të Drejtorisë së Policisë së Tiranë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1, sapo kanë mbërritur pranë shkollës, u përpoqën të prangosin dy djemtë e dhunshëm. Por dy të rinjtë, përgjatë shoqërimit për në komisariatin e policisë kanë kundërshtuar me dhunë dhe kanë goditur, për shkak të detyrës edhe punonjësit e policisë. Tani që dy djemtë janë në qelitë e paraburgimit, policia tha se ata përballen me gjashtë akuza, për veprat penale të “Plagosjes së rëndë me dashje”, “Dëmtimeve të tjera me dashje”, “Prishje të qetësisë publike”, “Kundërshtim të punonjësit të policisë”, “Kanosje për shkak të detyrës” dhe të “Fyerjes për shkak të detyrës”, që të gjitha, kryer në bashkëpunim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›